Dhjata e Re

1 Gjonit 5:6-16 Së Bashku (ALNT)

6. Jezu Krishti është ai që erdhi nëpërmjet ujit të pagëzimit të tij dhe nëpërmjet gjakut të vdekjes së tij në kryq, jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Ai që dëshmon është Shpirti i Shenjtë dhe ai është e vërteta.

7. Tre janë ata që dëshmojnë:

8. Shpirti i Shenjtë, uji e gjaku, dhe që të tre japin të njëjtën dëshmi.

9. Ne pranojmë dëshminë e njerëzve, por dëshmia e Perëndisë është më e madhe dhe ajo është dëshmia që dha për Birin e tij.

10. Ai që beson në Birin e Perëndisë e ka këtë dëshmi. Ai që nuk beson në Perëndinë, e ka bërë atë gënjeshtar, pasi nuk i ka besuar dëshmisë që Perëndia dha për Birin e vet.

11. Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e amshuar dhe kjo jetë është në Birin e tij.

12. Ai që ka Birin, ka jetën. Ai që nuk e ka Birin e Perëndisë, nuk e ka as jetën.

13. Këto gjëra jua shkrova juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, në mënyrë që ta dini se keni jetën e amshuar.

14. Kjo është siguria që kemi para Perëndisë: nëse i kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.

15. Meqenëse e dimë se ai i dëgjon kërkesat tona, atëherë e dimë edhe se do të na plotësohen.

16. Nëse dikush shikon vëllanë e vet të bëjë mëkat që nuk të çon në vdekje, le t’i lutet Perëndisë dhe ai do t’i japë jetë. Këtë e them për ata që nuk bëjnë mëkate që të çojnë në vdekje. Ka edhe mëkat që të çon në vdekje, por nuk ju them të luteni për këtë mëkat.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Gjonit 5