Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 7:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Atëherë Zoti i tha Noeut: "Hyr në arkë bashkë me tërë familjen tënde, sepse pashë se je i drejtë para meje në këtë brez.

2. Nga çdo lloj kafshe të pastër merr shtatë çifte, meshkuj e femra, si dhe nga kafshët jo të pastra një çift, mashkull dhe femër;

3. edhe nga zogjtë e qiellit merr shtatë çifte, meshkuj e femra, për të ruajtur gjallë farën e tyre mbi faqen e tërë dheut;

4. sepse mbas shtatë ditëve do të bëj që të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e dyzet net me radhë, dhe do të shfaros nga faqja e dheut tërë qeniet e gjalla që kam krijuar".

5. Dhe Noeu bëri pikërisht ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti.

6. Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur mbi tokë ndodhi përmbytja e ujërave.

7. Kështu Noeu u fut në arkë bashkë me bijtë e tij, me të shoqen dhe me gratë e bijve të tij, për shkak të ujërave të përmbytjes.

8. Nga kafshët e pastra dhe nga kafshët jo të pastra, nga zogjtë e nga të gjitha llojet që zvarriten mbi tokë,

9. erdhën dy nga dy para Noeut, në arkë, një mashkull e një femër, ashtu si e kishte porositur Perëndia atë.

10. Në fund të shtatë ditëve, ujërat e përmbytjes mbuluan tokën.

11. Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në muajin e dytë dhe në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, në atë ditë tërë burimet e humnerës së madhe shpërthyen dhe kataraktet e qiellit u hapën.

12. Dhe ra shi mbi tokë për dyzet ditë dhe dyzet net.

13. Po atë ditë hynë në arkë Noeu dhe bijtë e tij Semi, Kami dhe Jafeti, gruaja e Noeut si dhe tri gratë e bijve të tij me ta;

14. ata dhe të gjitha bishat sipas llojit, tërë bagëtia sipas llojit të saj, të gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokën sipas llojit të tyre, tërë zogjtë sipas llojit të tyre, tërë zogjtë e çfarëdo lloji.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 7