8. Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit.
9. Kjo është prejardhja e Noeut. Noeu ishte një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij. Noeu eci me Perëndinë.
10. Dhe Noeu pati tre bij: Semin, Kamin dhe Jafetin.
11. Por toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë.
12. Tani Perëndia vështroi tokën dhe ja, ajo ishte e prishur, sepse çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij.
13. Dhe Perëndia i tha Noeut: "Kam vendosur t'i jap fund çdo mishi, sepse toka për shkak të njerëzve është plot me dhunë; ja, unë do t'i zhduk bashkë me tokën.
14. Bëj një arkë prej druri; bëje arkën me dhoma dhe lyeje me bitum nga jashtë e nga brenda.
15. Por ti do ta ndërtosh në këtë mënyrë: gjatësia e arkës do të jetë treqind kubitë, gjerësia pesëdhjetë dhe lartësia tridhjetë.
16. Do ta bësh arkën me një dritare dhe do ta mbarosh me një kubit mbulese nga sipër; anash arkës do të vendosësh derën dhe do ta bësh me tre kate, pra me katin e poshtëm, të mesëm dhe të sipërm.
17. Dhe ja, unë vetë kam për të sjellë përmbytjen e ujërave mbi tokë, për të shkatërruar nën qiellin çdo mish që ka shenjë jete; çdo gjë që ndodhet mbi tokën ka për të vdekur.