Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 6:2-15 Bibla Shqip (ALBB)

2. djemtë e Perëndisë panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura, dhe morën për gra të gjitha ato që i zgjodhën vetë.

3. Dhe Zoti tha: "Fryma im nuk do të hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish; ditët e tij do të jenë, pra, njëqind e njëzet vjet".

4. Kishte gjigantë mbi tokë në ato kohë, madje edhe më vonë, kur bijtë e Perëndisë iu afruan bijave të njerëzve dhe këto u lindën atyre fëmijë. Ata janë heronjtë që jetuan në kohët e lashtësisë, janë njerëzit e famshëm të këtyre kohëve.

5. Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë.

6. Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet.

7. Kështu Zoti tha: "Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun që kam krijuar, duke filluar nga njeriu deri te kafshët, te rrëshqanorët, te zogjtë e qiellit, sepse pendohem që i kam krijuar".

8. Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit.

9. Kjo është prejardhja e Noeut. Noeu ishte një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij. Noeu eci me Perëndinë.

10. Dhe Noeu pati tre bij: Semin, Kamin dhe Jafetin.

11. Por toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë.

12. Tani Perëndia vështroi tokën dhe ja, ajo ishte e prishur, sepse çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij.

13. Dhe Perëndia i tha Noeut: "Kam vendosur t'i jap fund çdo mishi, sepse toka për shkak të njerëzve është plot me dhunë; ja, unë do t'i zhduk bashkë me tokën.

14. Bëj një arkë prej druri; bëje arkën me dhoma dhe lyeje me bitum nga jashtë e nga brenda.

15. Por ti do ta ndërtosh në këtë mënyrë: gjatësia e arkës do të jetë treqind kubitë, gjerësia pesëdhjetë dhe lartësia tridhjetë.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 6