Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 50:6-20 Bibla Shqip (ALBB)

6. Faraoni u përgjigj: "Ngjitu dhe varrose atin tënd ashtu si të ka vënë të betohesh".

7. Atëherë Jozefi u ngjit për të varrosur të atin; dhe me të u ngjitën tërë shërbëtorët e Faraonit, të moshuarit e shtëpisë së tij dhe tërë të moshuarit e vendit të Egjiptit,

8. dhe tërë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit. Në vendin e Goshenit lanë vetëm fëmijët e tyre të vegjël, kopetë me bagëtinë e imët dhe me bagëtinë e trashë.

9. Me të u ngjitën lart gjithashtu qerre dhe kalorës, aq sa u formua një vargan i madh njerëzish.

10. Me të arritur në lëmin e Atadit, që është përtej Jordanit, u dëgjuan vajtime të mëdha dhe solemne; dhe Jozefi mbajti shtatë ditë zi për të atin.

11. Kur banorët e vendit, kanaanenjtë, panë zinë në lëmin e Atadit, thanë: "Kjo është një zi e madhe për egjiptasit!". Prandaj ai vend u quajt Abel-Mitsraim dhe ndodhet përtej Jordanit.

12. Bijtë e tij bënë për të atë që ai i kishte urdhëruar.

13. Bijtë e tij e bartën në vendin e Kanaanit dhe e varrosën në shpellën e fushës së Malkpelahut, përballë Mamres, që Abrahami e kishte blerë bashkë me arën nga Efron hiteu, si vendvarrim, pronë e tij.

14. Mbasi varrosi të atin, Jozefi u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit e tij dhe me të gjithë ata që ishin ngjitur deri atje për të varrosur atin e tij.

15. Vëllezërit e Jozefit kur panë se ati i tyre vdiq, thanë: "Mos vallë Jozefi na mban inat dhe merr hak për tërë të keqen që i kemi bërë?".

16. Atëherë i çuan fjalë Jozefit: "Ati yt para se të vdiste dha këtë porosi duke thënë:

17. "Kështu do t'i thoni Jozefit: "Falu vëllezërve të tu të keqen që të kanë bërë, mëkatin e tyre, sepse të kanë bërë keq". Falu, pra, tani krimin shërbëtorëve të Perëndisë të atit tënd". Jozefi qau kur i folën kështu.

18. Pastaj erdhën edhe vëllezërit e tij dhe u shtrinë para tij, dhe i thanë: "Ja, ne jemi shërbëtorët e tu".

19. Jozefi u tha atyre: "Mos u trembni, se mos jam unë në vend të Perëndisë?.

20. Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t'i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 50