Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 47:19-31 Bibla Shqip (ALBB)

19. Pse duhet të mbarojmë para syve të tu, ne dhe tokat tona? Blina ne dhe tokat tona në këmbim të bukës, dhe ne me tokat tona do të jemi skllevër të Faraonit; na jep të mbjellim që të mund të jetojmë dhe jo të vdesim, dhe toka të mos shndërrohet në një shkretëtirë".

20. Kështu Jozefi bleu për Faraonin tërë tokat e Egjiptit, sepse egjiptasit shitën secili arën e vet, me që ishin goditur rëndë nga zija e bukës. Kështu vendi u bë pronë e Faraonit.

21. Sa për popullin, e zhvendosi nëpër qytete, në të katër anët e Egjiptit;

22. vetëm tokat e priftërinjve nuk i bleu, sepse priftërinjtë merrnin furnizime nga Faraoni dhe rronin nga furnizimet që u jepte Faraoni; për këtë arsye ata nuk i shitën tokat e tyre.

23. Por Jozefi i tha popullit: "Ja, sot ju bleva ju dhe tokat tuaja për Faraonin; ja ku e keni farën; mbillni tokën;

24. në kohën e korrjes, të pestën pjesë do t'ia jepni Faraonit dhe katër pjesë do të jenë tuajat për të siguruar farën e arave, ushqimin tuaj dhe të personave të shtëpisë suaj dhe për ushqimin e fëmijëve tuaj".

25. Dhe ata thanë: "Ti na shpëtove jetën! Paçim hir në sytë e zotërisë tonë, dhe ne do të jemi skllevërit e Faraonit".

26. Jozefi e bëri ligj këtë në vendin e Egjiptit, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe sipas të cilit e pesta pjesë e korrjes duhet t'i jepet Faraonit. Vetëm tokat e priftërinjve nuk u bënë pronë e Faraonit.

27. Kështu Izraeli banoi në vendin e Egjiptit, në vendin e Goshenit; aty ata patën prona, qenë frytdhënës dhe u shumuan fort.

28. Jakobi jetoi në vendin e Egjiptit shtatëmbëdhjetë vjet dhe kohëzgjatja e jetës së Jakobit qe njëqind e dyzet e shtatë vjet.

29. Kur koha e vdekjes po i afrohej Izraelit, ai thirri të birin Jozef dhe i tha: "Në paça gjetur hir në sytë e tu, vëre dorën tënde poshtë kofshës sime dhe sillu me mua me mirëdashje dhe besnikëri; të lutem, mos më varros në Egjipt!

30. Por kur do të pushoj me etërit e mi, më nxirr jashtë Egjiptit dhe më varros në varrin e tyre!". Ai u përgjigj: "Do të bëj si thua ti".

31. Atëherë Jakobi tha: "Betomu". Dhe Jozefi iu betua. Pastaj Izraeli, duke u mbështetur te koka e shtratit, ra në adhurim.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 47