Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 47:15-26 Bibla Shqip (ALBB)

15. Por kur në vendin e Egjiptit dhe në vendin e Kanaanit nuk pati më para, tërë egjiptasit erdhën te Jozefi dhe thanë: "Na jep bukë! Pse duhet të vdesim para syve të tu? Sepse paratë tona kanë mbaruar".

16. Jozefi tha: "Jepni bagëtinë tuaj; dhe unë do t'ju jap bukë në këmbim të bagëtisë suaj, në qoftë se i keni mbaruar paratë".

17. Atëherë ata i çuan Jozefit bagëtinë e tyre; dhe Jozefi u dha atyre bukë në këmbim të kuajve të tyre, të kopeve të tyre me dele, të qeve dhe të gomarëve. Kështu i furnizoi me bukë për atë vit në këmbim të gjithë bagëtisë së tyre.

18. Mbasi kaloi ai vit, u kthyen tek ai vitin pasues dhe i thanë: "Nuk mund t'ia fshehim zotërisë tonë që, me qenë se paratë mbaruan dhe kopetë e bagëtisë sonë janë bërë pronë e zotërisë tonë, nuk mbetet asgjë tjetër që zotëria im mund të na marrë veç trupave tonë dhe tokave tona.

19. Pse duhet të mbarojmë para syve të tu, ne dhe tokat tona? Blina ne dhe tokat tona në këmbim të bukës, dhe ne me tokat tona do të jemi skllevër të Faraonit; na jep të mbjellim që të mund të jetojmë dhe jo të vdesim, dhe toka të mos shndërrohet në një shkretëtirë".

20. Kështu Jozefi bleu për Faraonin tërë tokat e Egjiptit, sepse egjiptasit shitën secili arën e vet, me që ishin goditur rëndë nga zija e bukës. Kështu vendi u bë pronë e Faraonit.

21. Sa për popullin, e zhvendosi nëpër qytete, në të katër anët e Egjiptit;

22. vetëm tokat e priftërinjve nuk i bleu, sepse priftërinjtë merrnin furnizime nga Faraoni dhe rronin nga furnizimet që u jepte Faraoni; për këtë arsye ata nuk i shitën tokat e tyre.

23. Por Jozefi i tha popullit: "Ja, sot ju bleva ju dhe tokat tuaja për Faraonin; ja ku e keni farën; mbillni tokën;

24. në kohën e korrjes, të pestën pjesë do t'ia jepni Faraonit dhe katër pjesë do të jenë tuajat për të siguruar farën e arave, ushqimin tuaj dhe të personave të shtëpisë suaj dhe për ushqimin e fëmijëve tuaj".

25. Dhe ata thanë: "Ti na shpëtove jetën! Paçim hir në sytë e zotërisë tonë, dhe ne do të jemi skllevërit e Faraonit".

26. Jozefi e bëri ligj këtë në vendin e Egjiptit, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe sipas të cilit e pesta pjesë e korrjes duhet t'i jepet Faraonit. Vetëm tokat e priftërinjve nuk u bënë pronë e Faraonit.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 47