Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 45:4-16 Bibla Shqip (ALBB)

4. Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Afrohuni, pra, tek unë!". Ata iu afruan dhe ai u tha: "Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët që ta çonin në Egjipt.

5. Por tani mos u trishtoni dhe mos t'ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj.

6. Në fakt u bënë dy vjet që ra zija e bukës në vend; dhe do të ketë pesë vjet të tjera gjatë të cilave as do të lërohet, as do të korret.

7. Por Perëndia më ka dërguar para jush, me qëllim që të ruhet diçka mbi tokë dhe për t'ju shpëtuar jetën me një çlirim të madh.

8. Nuk jeni ju, pra, që më dërguat këtu, por është Perëndia; ai më caktoi si atë i Faraonit, si zot i krejt shtëpisë së tij dhe si qeveritar i tërë vendit të Egjiptit.

9. Nxitoni të riktheheni tek ati im dhe i thoni: "Kështu thotë biri yt Jozefi: Perëndia më ka caktuar si zot i gjithë Egjiptit; zbrit tek unë, mos u vono;

10. ti do të banosh në vendin e Goshenit dhe do jesh afër meje; ti dhe bijtë e tu, bijtë e bijve të tu, kopetë e bagëtive të imta e të trasha dhe gjithçka ti zotëron.

11. Dhe atje unë do të të ushqej, sepse do të ketë edhe pesë vjet të tjera zije, me qëllim që ti të mos katandisesh në mjerim: ti, familja jote dhe gjithçka zotëron".

12. Dhe ja, sytë tuaja dhe sytë e vëllait tim Beniaminit shohin që është goja ime që ju flet.

13. Tregojani, pra, atit tim tërë lavdinë time këtu në Egjipt dhe gjithçka patë, shpejtoni ta sillni atin tim këtu".

14. Pastaj iu hodh në qafë vëllait të tij Beniamin dhe qau, dhe Beniamini qau i shtrënguar në qafën e tij.

15. Ai puthi gjithashtu tërë vëllezërit e tij dhe qau i shtrënguar me ta. Pastaj vëllezërit e tij filluan të flasin me të.

16. Jehona e kësaj ngjarjeje u përhap në shtëpinë e Faraonit dhe njerëzit thanë: "Kanë ardhur vëllezërit e Jozefit". Kjo i pëlqeu Faraonit dhe shërbëtorëve të tij.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 45