Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 45:12-28 Bibla Shqip (ALBB)

12. Dhe ja, sytë tuaja dhe sytë e vëllait tim Beniaminit shohin që është goja ime që ju flet.

13. Tregojani, pra, atit tim tërë lavdinë time këtu në Egjipt dhe gjithçka patë, shpejtoni ta sillni atin tim këtu".

14. Pastaj iu hodh në qafë vëllait të tij Beniamin dhe qau, dhe Beniamini qau i shtrënguar në qafën e tij.

15. Ai puthi gjithashtu tërë vëllezërit e tij dhe qau i shtrënguar me ta. Pastaj vëllezërit e tij filluan të flasin me të.

16. Jehona e kësaj ngjarjeje u përhap në shtëpinë e Faraonit dhe njerëzit thanë: "Kanë ardhur vëllezërit e Jozefit". Kjo i pëlqeu Faraonit dhe shërbëtorëve të tij.

17. Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Thuaju vëllezërve të tu: "Bëni këtë: Ngarkoni kafshët tuaja dhe shkoni; kthehuni në vendin e Kanaanit.

18. Pastaj merrni atin tuaj dhe familjet tuaja, dhe ejani tek unë; unë do t'ju jap më të mirat e vendit të Egjiptit dhe do të hani prodhimet më të zgjedhura të vendit".

19. Ti ke urdhrin t'u thuash atyre: "Bëni këtë: Merrni me vete nga vendi i Egjiptit qerre për të vegjlit tuaj dhe për gratë tuaja; merrni atin tuaj dha ejani.

20. Dhe mos u shqetësoni për orenditë shtëpiake, sepse sendet më të mira që ka Egjipti do të jenë tuajat"".

21. Bijtë e Izraelit vepruan kështu, dhe Jozefi u dha atyre qerre, sipas urdhrit të Faraonit, si edhe ushqime për udhëtimin.

22. Të gjithëve u dha një palë rroba për ndërresë për secilin, por Beniaminit i dha treqind sikla argjendi dhe pesë ndërresa veshmbathje;

23. atit të tij i dërgoi: dhjetë gomarë të ngarkuar me gjërat më të mira të Egjiptit, dhjetë gomarica të ngarkuara me grurë, bukë dhe ushqime për atin e tij gjatë udhëtimit.

24. Kështu i nisi vëllezërit e tij dhe, ndërsa ata po iknin, u tha: "Mos u grindni rrugës".

25. Atëherë ata u ngjitën përsëri nga Egjipti dhe arritën në vendin e Kanaanit te Jakobi, ati i tyre.

26. Dhe i kallëzuan gjithçka, duke thënë: "Jozefi është ende gjallë dhe është qeveritari i gjithë shtetit të Egjiptit". Por zemra e atij nuk iu ngroh, sepse nuk u besonte atyre.

27. Po kur ata i treguan tërë fjalët që u kishte thënë Jozefi dhe kur pa qerret që Jozefi kishte dërguar për ta marrë atë, atëherë shpirti i Jakobit atit të tyre, u ringjall

28. dhe Izraeli tha: "Mjaft; djali im Jozefi është ende gjallë; unë do të shkoj ta shoh para se të vdes".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 45