Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 44:4-19 Bibla Shqip (ALBB)

4. Sapo kishin dalë nga qyteti dhe nuk ishin akoma larg, kur Jozefi i tha kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Çohu, ndiqi ata njerëz dhe kur t'i kesh arritur, thuaju atyre: "Pse e shpërblyet të mirën me të keqe?

5. A nuk është ajo kupa me të cilën pi zotëria im dhe që e përdor për të parathënë të ardhmen? Keni vepruar keq duke u sjellë kështu"".

6. Ai i arriti ata dhe u tha këto fjalë.

7. Atëherë ata iu përgjigjën: "Pse zotëria im na drejton fjalë si këto? Shërbyesit e tu duhet t'i shmangen një qëndrimi të tillë!

8. Ja, pra, ne të kemi rikthyer nga vendi i Kanaanit paratë që kishim gjetur në grykën e trastave tona; si mund të vidhnim argjend ose flori nga shtëpia e zotërisë tënd?

9. Ai prej shërbëtorëve të tu të cilit do t'i gjendet kupa, të dënohet me vdekje; edhe gjithashtu ne do të bëhemi skllevër të zotërisë tënd".

10. Ai tha: "Mirë, pra, le të bëhet si thoni ju: ai të cilit do t'i gjendet kupa do të bëhet skllavi im dhe ju do të jeni të pafaj".

11. Kështu secili prej tyre nxitoi të ulë për tokë trastën e vet dhe e hapi.

12. Dhe kryeshërbëtori i kontrolloi, duke filluar nga më i moshuari dhe duke mbaruar me më të riun; dhe kupa u gjet në thesin e Beniaminit.

13. Atëherë ata i shqyen rrobat e tyre, ringarkuan secili gomarin e vet dhe u kthyen në qytet.

14. Juda dhe vëllezërit e tij arritën në shtëpinë e Jozefit, që gjendej akoma aty, dhe u shtrinë për tokë para tij.

15. Dhe Jozefi u tha atyre: "Çfarë veprimi është ky që keni bërë? Nuk e dini që një njeri si unë është në gjendje të parathotë të ardhmen?".

16. Juda u përgjigj: "Ç'do t'i themi zotërisë tim? Çfarë fjalë do të përdorim ose si do të mund të justifikohemi? Perëndia ka rigjetur paudhësinë e shërbëtorëve të tu. Ja, jemi skllevër të zotërisë tim, si ne ashtu edhe ai në dorën e të cilit u gjet kupa".

17. Por Jozefi tha: "Larg meje një veprim i tillë! Njeriu, në dorën e të cilit u gjet kupa, do të jetë skllavi im; sa për ju, kthehuni në paqe tek ati juaj".

18. Atëherë Juda iu afrua Jozefit dhe i tha: "Të lutem, zotëria im, lejoje shërbëtorin tënd që t'i thotë një fjalë zotërisë tim, dhe mos u zemëro me shërbëtorin tënd, sepse ti je si Faraoni.

19. Zotëria im i pyeti shërbëtorët e tij duke thënë: "A keni ju baba apo vëlla?".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 44