10. Ai tha: "Mirë, pra, le të bëhet si thoni ju: ai të cilit do t'i gjendet kupa do të bëhet skllavi im dhe ju do të jeni të pafaj".
11. Kështu secili prej tyre nxitoi të ulë për tokë trastën e vet dhe e hapi.
12. Dhe kryeshërbëtori i kontrolloi, duke filluar nga më i moshuari dhe duke mbaruar me më të riun; dhe kupa u gjet në thesin e Beniaminit.
13. Atëherë ata i shqyen rrobat e tyre, ringarkuan secili gomarin e vet dhe u kthyen në qytet.
14. Juda dhe vëllezërit e tij arritën në shtëpinë e Jozefit, që gjendej akoma aty, dhe u shtrinë për tokë para tij.
15. Dhe Jozefi u tha atyre: "Çfarë veprimi është ky që keni bërë? Nuk e dini që një njeri si unë është në gjendje të parathotë të ardhmen?".
16. Juda u përgjigj: "Ç'do t'i themi zotërisë tim? Çfarë fjalë do të përdorim ose si do të mund të justifikohemi? Perëndia ka rigjetur paudhësinë e shërbëtorëve të tu. Ja, jemi skllevër të zotërisë tim, si ne ashtu edhe ai në dorën e të cilit u gjet kupa".
17. Por Jozefi tha: "Larg meje një veprim i tillë! Njeriu, në dorën e të cilit u gjet kupa, do të jetë skllavi im; sa për ju, kthehuni në paqe tek ati juaj".
18. Atëherë Juda iu afrua Jozefit dhe i tha: "Të lutem, zotëria im, lejoje shërbëtorin tënd që t'i thotë një fjalë zotërisë tim, dhe mos u zemëro me shërbëtorin tënd, sepse ti je si Faraoni.
19. Zotëria im i pyeti shërbëtorët e tij duke thënë: "A keni ju baba apo vëlla?".