Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 43:18-33 Bibla Shqip (ALBB)

18. Por ata u trembën, për shkak se i kishin çuar në shtëpi të Jozefit dhe thanë: "Na sollën këtu për shkak të atyre parave që na u vunë në trastat të parën herë, për të gjetur një shkas kundër nesh, për t'u sulur mbi ne dhe për të na zënë skllevër bashkë me gomarët tonë".

19. Pasi iu afruan kryeshërbëtorit të shtëpisë së Jozefit, folën me të te dera e shtëpisë dhe thanë:

20. "Zotëria im, ne zbritëm në të vërtetë herën e parë këtu për të blerë ushqime;

21. dhe ndodhi që, kur arritëm në vendin ku kaluam natën, hapëm trastat dhe, ja, paratë e secilit prej nesh ndodheshin në grykë të trastës së vet; paratë tona me peshën e tyre të saktë; tani i kemi risjellë me vete.

22. Dhe kemi sjellë me vete para të tjera për të blerë ushqime; ne nuk e dimë kush mund t'i ketë vënë paratë tona në trastat tona".

23. Por ai tha: "Qetësohuni, mos u trembni: Perëndia juaj dhe Perëndia e atit tuaj ka vënë një thesar në trastat tuaja. Unë i pata paratë tuaja". Pastaj u solli Simeonin.

24. Ai njeri i futi në shtëpinë e Jozefit, u dha ujë që të lanin këmbët dhe ushqim për gomarët e tyre.

25. Atëherë ata përgatitën dhuratën, duke pritur që Jozefi të vinte në mesditë, sepse kishin dëgjuar që do të rrinin për të ngrënë në atë vend.

26. Kur Jozefi arriti në shtëpi, ata i paraqitën dhuratën që kishin sjellë me vete në shtëpi, dhe u përkulën para tij deri në tokë.

27. Ai i pyeti si ishin dhe tha: "Ati juaj, për të cilin më keni folur, a është mirë? Është ende gjallë?".

28. Ata u përgjigjën: "Shërbëtori yt, ati ynë, është mirë; jeton ende". Dhe e nderuan duke u përkulur.

29. Pastaj Jozefi ngriti sytë, pa vëllanë e tij Beniaminin, bir i nënës së tij, dhe tha: "Ky është vëllai juaj më i vogël për të cilin më folët?". Dhe shtoi: "Perëndia të ndihmoftë, biri im!".

30. Atëherë Jozefi nxitoi të dalë jashtë, sepse ishte mallëngjyer thellë për shkak të vëllait të tij, dhe kërkonte vend ku të qante. Hyri kështu në dhomën e tij dhe aty qau.

31. Pastaj lau fytyrën dhe doli; dhe duke i dhënë zemër vetes, tha: "Shtrojeni drekën".

32. Dreka u shtrua veçmas për të, veçmas për ata dhe për egjiptasit që hanin veçmas nga ai, sepse egjiptasit nuk mund të hanin bashkë me hebrenjtë; kjo do të ishte një gjë e neveritshme për egjiptasit.

33. Kështu ata u ulën përpara tij: i parëlinduri sipas së drejtës së tij të parëbirnisë dhe më i riu sipas moshës së tij; dhe e shikonin njëri-tjetrin me habi.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 43