Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 43:11-25 Bibla Shqip (ALBB)

11. Atëherë Izraeli, ati i tyre, u tha atyre: "Po të jetë ashtu, veproni në këtë mënyrë: merrni në trastat tuaja disa nga prodhimet më të mira të vendit dhe i çoni atij njeriu një dhuratë: pak balsam,

12. Merrni me vete dyfishin e parave dhe kthejani paratë që ju vunë në grykën e trastave tuaja, ndofta ka qenë një gabim.

13. Merrni edhe vëllanë tuaj, dhe çohuni dhe kthehuni tek ai njeri;

14. dhe Perëndia i plotfuqishëm t'ju bëjë të gjeni hir para atij njeriu, kështu që ai të lirojë vëllanë tjetër tuajin dhe Beniaminin. Sa për mua, po të jetë se duhet të mbetem pa bijtë e mi, ashtu qoftë!".

15. Ata, pra, morën me vete dhuratën si dhe dyfishin e parave dhe Beniaminin; u ngritën dhe zbritën në Egjipt dhe u paraqitën para Jozefit.

16. Kur Jozefi pa Beniaminin bashkë me ta, i tha kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Çoji këta njerëz në shtëpi, ther një kafshë dhe përgatit një banket, sepse ata do të hanë drekë bashkë me mua".

17. Dhe ai bëri ashtu siç e urdhëroi Jozefi dhe i çoi në shtëpinë e Jozefit.

18. Por ata u trembën, për shkak se i kishin çuar në shtëpi të Jozefit dhe thanë: "Na sollën këtu për shkak të atyre parave që na u vunë në trastat të parën herë, për të gjetur një shkas kundër nesh, për t'u sulur mbi ne dhe për të na zënë skllevër bashkë me gomarët tonë".

19. Pasi iu afruan kryeshërbëtorit të shtëpisë së Jozefit, folën me të te dera e shtëpisë dhe thanë:

20. "Zotëria im, ne zbritëm në të vërtetë herën e parë këtu për të blerë ushqime;

21. dhe ndodhi që, kur arritëm në vendin ku kaluam natën, hapëm trastat dhe, ja, paratë e secilit prej nesh ndodheshin në grykë të trastës së vet; paratë tona me peshën e tyre të saktë; tani i kemi risjellë me vete.

22. Dhe kemi sjellë me vete para të tjera për të blerë ushqime; ne nuk e dimë kush mund t'i ketë vënë paratë tona në trastat tona".

23. Por ai tha: "Qetësohuni, mos u trembni: Perëndia juaj dhe Perëndia e atit tuaj ka vënë një thesar në trastat tuaja. Unë i pata paratë tuaja". Pastaj u solli Simeonin.

24. Ai njeri i futi në shtëpinë e Jozefit, u dha ujë që të lanin këmbët dhe ushqim për gomarët e tyre.

25. Atëherë ata përgatitën dhuratën, duke pritur që Jozefi të vinte në mesditë, sepse kishin dëgjuar që do të rrinin për të ngrënë në atë vend.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 43