1. Por Jakobi, pasi mësoi se në Egjipt kishte grurë, u tha bijve të tij: "Pse shikoni njëri-tjetrin?".
2. Pastaj tha: "Ja, dëgjova se në Egjipt ka grurë; shkoni atje poshtë për të blerë grurë për ne, që të mundim të jetojmë dhe të mos vdesim".
3. Kështu dhjetë vëllezërit e Jozefit zbritën në Egjipt për të blerë grurë.
4. Por Jakobi nuk e dërgoi Beniaminin, vëllanë e Jozefit, me vëllezërit e tij, sepse thoshte: "Të mos i ngjasë ndonjë fatkeqësi".
5. Bijtë e Izraelit arritën aty, pra, për të blerë grurë, në mes të të ardhurve të tjerë, sepse në vendin e kanaanenjve mbretëronte zija.
6. Jozefi ishte qeveritari i vendit; ai u shiste grurë tërë njerëzve të vendit; dhe vëllezërit e Jozefit erdhën dhe u përulën para tij me fytyrën për tokë.
7. Jozefi pa vëllezërit e tij dhe i njohu, por u soll me ta si një i huaj dhe përdori fjalë të ashpra me ta, duke u thënë: "Nga vini?". Ata u përgjigjën: "Nga vendi i Kanaanit për të blerë ushqime".
8. Kështu Jozefi njohu vëllezërit e tij, por ata nuk e njohën atë.
9. Atëherë Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë rreth tyre dhe tha: "Ju jeni spiunë! Keni ardhur këtu për të parë pikat e pambrojtura të vendit!".
10. Ata iu përgjigjën: "Jo, zotëria im; shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqime.
11. Jemi të gjithë bijtë e të njëjtit njeri, jemi njerëz të ndershëm; shërbëtorët e tu nuk janë spiunë".
12. Por ai u tha atyre: "Jo, ju keni ardhur për të parë pikat e pambrojtura të vendit!".
13. Atëherë ata thanë: "Ne, shërbëtorët e tu, jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të të njëjtit njeri nga vendi i Kanaanit. Dhe ja, pra, më i riu është sot me atin tonë, dhe njeri prej tyre nuk është më".
14. Por Jozefi u tha atyre: "Çështja qëndron ashtu siç ju thashë: ju jeni spiunë!
15. Ja si do të viheni në provë: ashtu siç është e vërteta që Faraoni jeton, nuk do të dilni këtej para se vëllai juaj më i vogël të vijë këtu.
16. Dërgoni njërin prej jush të marrë vëllanë tuaj; dhe ju do të qëndroni këtu në burg, që fjalët tuaja të provohen dhe të shihet nëse thoni të vërtetën; përndryshe, ashtu siç është e vërtetë që Faraoni jeton, ju jeni spiunë!".
17. Kështu i futi bashkë në burg për tri ditë.