37. Kjo gjë i pëlqeu Faraonit dhe gjithë nëpunësve të tij.
38. Dhe Faraoni u tha nëpunësve të tij: "A mund të gjejmë një njeri si ky, tek i cili të gjendet Fryma e Perëndisë?".
39. Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Me qenë se Perëndia të bëri të dish të gjitha këto gjëra, nuk ka asnjeri të zgjuar dhe të ditur sa ti.
40. Ti do të jesh mbi shtëpinë time dhe i tërë populli im do t'u bindet urdhrave të tua; vetëm për fronin unë do të jem më i madh se ti".
41. Faraoni i tha Jozefit: "Shiko, unë të emëroj mbi gjithë shtetin e Egjiptit".
42. Pastaj Faraoni hoqi unazën nga dora e vet dhe ia vuri në dorë Jozefit; e veshi me rroba krejt prej liri dhe i vari në qafë një gjerdan të artë.
43. E hipi pastaj në karron e tij të dytë, dhe para tij thërrisnin: "Në gjunjë!". Kështu Faraoni e vendosi mbi tërë shtetin e Egjiptit.
44. Veç kësaj Faraoni i tha Jozefit: "Faraoni jam unë, por pa ty asnjeri nuk ka për të ngritur dorën ose këmbën në tërë shtetin e Egjiptit".
45. Dhe Faraoni e quajti Jozefin me emrin Cofnath-Paneah dhe i dha për grua Asenathin, të bijën e Potiferahut, prift i Onit. Dhe Jozefi u nis për të vizituar shtetin e Egjiptit.
46. Tani Jozefi ishte tridhjetë vjeç kur u paraqit para Faraonit, mbretit të Egjiptit. Pastaj Jozefi u largua nga Faraoni dhe i ra anembanë Egjiptit.
47. Gjatë shtatë viteve të bollëkut, toka prodhoi shumë;
48. dhe Jozefi grumbulloi tërë ushqimet në vendin e Egjiptit gjatë atyre shtatë viteve dhe i vendosi nëpër qytetet; në çdo qytet vendosi ushqimet e territorit përreth.
49. Kështu Jozefi grumbulloi grurë, si rëra e detit, aq shumë sa pushoi së mbajturi llogari sepse sasia e grurit ishte e pallogaritshme.
50. Para se të vinte viti i zisë, Jozefit i lindën dy fëmijë që Asenathi, e bija e Potiferahut, prift i Onit, i lindi.
51. Jozefi e quajti të parëlindurin Manasi, sepse tha: "Perëndia bëri që të harroj çdo shqetësim timin dhe tërë shtëpinë e atit tim".
52. Të dytit i vuri emrin Efraim, sepse tha: "Perëndia më ka bërë frytdhënës në vendin e pikëllimit tim".