Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 40:5-15 Bibla Shqip (ALBB)

5. Po atë natë, kupëmbajtësi dhe bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit, që ishin të mbyllur në burg, panë që të dy një ëndërr, secili ëndrrën e tij, me një kuptim të veçantë.

6. Dhe të nesërmen në mëngjes Jozefi erdhi tek ata dhe vuri re se ishin të shqetësuar.

7. Atëherë ai pyeti oficerët e Faraonit, që ishin me të në burg, në shtëpinë e zotërisë së tij dhe u tha: "Pse keni sot një fytyrë kaq të trishtuar?".

8. Ata iu përgjigjën: "Kemi parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjendje ta interpretojë". Atëherë Jozefi u tha atyre: "Interpretimet nuk i përkasin vallë Perëndisë? Më tregoni ëndrrat, ju lutem".

9. Kështu kryekupëmbajtësi i tregoi Jozefit ëndrrën e tij dhe i tha: "Në ëndrrën time kisha përpara një hardhi;

10. dhe në atë hardhi kishte tri degë, të cilat sa vunë lastarë, lulëzuan dhe dhanë vile rrushi të pjekur.

11. Tani unë kisha në dorë kupën e Faraonit; mora rrushin, e shtrydha në kupën e Faraonit dhe e vura kupën në dorë të Faraonit".

12. Jozefi i tha: "Ky është interpretimi i ëndrrës: tri degët janë tri ditë;

13. në krye të tri ditëve Faraoni do të të bëjë të ngresh përsëri kokën lart, do të të rivendosë në detyrën tënde dhe ti do t'i japësh në dorë kupën Faraonit, siç bëje më parë, kur ishe kupëmbajtësi i tij.

14. Por më kujto mua kur të jesh i lumtur; të lutem, trego dashamirësi ndaj meje, duke i folur për mua Faraonit, dhe më nxirr nga kjo shtëpi;

15. sepse mua më sollën fshehurazi nga vendi i hebrenjve, dhe këtu s'kam bërë gjë për t'u futur në këtë burg të nëndheshëm".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 40