Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 38:4-21 Bibla Shqip (ALBB)

4. Pastaj ajo u ngjiz dhe lindi një bir, që ai e quajti Onan.

5. Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një bir, të cilit i vuri emrin Shelah. Juda ishte në Kecib kur ajo lindi.

6. Pastaj Juda i dha Erit të parëlindurit të tij, një grua të quajtur Tamara.

7. Por Eri, i parëlinduri i Judës, ishte i keq në sytë e Zotit dhe Zoti e bëri të vdesë.

8. Atëherë Juda i tha Onanit: "Shko te gruaja e vëllait tënd, martohu me të dhe krijoi trashëgimtarë vëllait tënd".

9. Por Onani, duke ditur se këta pasardhës nuk kishin për të qenë të vetët, kur bashkohej me gruan e të vëllait, e hidhte farën e tij përtokë për të mos i dhënë pasardhës vëllait të tij.

10. Kjo nuk i pëlqeu Zotit, që e bëri të vdesë edhe atë.

11. Atëherë Juda i tha Tamarës, nuses së birit të tij: "Rri si e ve në shtëpinë e atit tënd, derisa biri im Shelah të rritet". Sepse mendonte: "Kam frikë se edhe ai ka për të vdekur si vëllezërit e tij". Kështu Tamara u nis dhe banoi në shtëpinë e të atit.

12. Mbas një kohe të gjatë vdiq gruaja e Judës, që ishte e bija e Shuas; kur mbaroi zinë, Juda u ngjit tek ata që qethnin delet e tij në Timnah bashkë me mikun e tij Hirah, i quajtur Adullamiti.

13. Këtë e mori vesh Tamara dhe asaj i thanë: "Ja, vjehrri yt po ngjitet në Timnah për të qethur delet e tij".

14. Atëherë ajo hoqi rrobat e saj të vejërisë, u mbulua me një vello dhe u mbështoll e tëra; pastaj u ul te porta e Enaimit, që ndodhet në rrugën drejt Timnahut; në fakt ajo kishte parë që Shelahu ishte rritur më në fund, por ajo nuk i ishte dhënë për grua.

15. Sa e pa Juda mendoi që ajo ishte prostitutë, sepse e kishte fytyrën të mbuluar.

16. Prandaj ai iu afrua asaj në rrugë dhe i tha: "Lërmë të hyj te ti". Në të vërtetë nuk e dinte se ajo ishte nusja e djalit të tij. Ajo iu përgjigj: "Çfarë do të më japësh për të hyrë tek unë?"

17. Atëherë ai i tha: "Do të të dërgoj një kec nga kopeja ime". Ajo e pyeti: "A më jep një peng derisa të ma dërgosh?".

18. Ai i tha: "Çfarë pengu duhet të të jap?". Ajo u përgjigj: "Vulën tënde, kordonin tënd dhe bastunin që ke në dorë". Ai ia dha, hyri tek ajo dhe ajo u ngjiz me të.

19. Pastaj ajo u ngrit dhe iku; hoqi velin dhe veshi përsëri rrobat e saj të vejërisë.

20. Por Juda i dërgoi kecin me anë të mikut të tij, adulamitit, për të rimarrë pengun nga duart e asaj gruaje; po ai nuk e gjeti atë.

21. Atëherë pyeti njerëzit vendas duke thënë: "Ku është ajo prostitutë që rrinte në Enaim, në rrugë?". Ata u përgjigjën: "Nuk ka pasur asnjë prostitutë këtu".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 38