1. Por Jakobi banoi në vendin ku i ati kishte qëndruar, në vendin e kanaanenjve.
2. Këta janë pasardhësit e Jakobit. Jozefi, në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, kulloste kopenë bashkë me vëllezërit e tij; i riu rrinte me bijën e Bilhahës dhe me bijtë e Zilpahës, që ishin gratë e babait të tij. Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq që përhapej mbi sjelljen e tyre.
3. Por Izraeli e donte Jozefin më tepër se tërë bijtë e tij, sepse ishte biri i pleqërisë së tij; dhe i bëri një rrobë të gjatë deri te këmbët.
4. Por vëllezërit e tij, duke parë që i ati i tyre e donte më tepër nga të gjithë vëllezërit e tjerë, filluan ta urrejnë dhe nuk mund t'i flisnin në mënyrë miqësore.
5. Por Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve të tij; dhe këta e urryen edhe më tepër.
6. Ai u tha atyre: "Dëgjoni, ju lutem, ëndrrën që pashë.
7. Ne ishim duke lidhur duaj në mes të arës, kur papritmas duajt e mi u drejtuan dhe qëndruan drejt, kurse duajt tuaja u mblodhën dhe u përkulën përpara duajve të mi".
8. Atëherë vëllezërit e tij i thanë: "A duhet të mbretërosh ti mbi ne, ose do të na sundosh me të vërtetë?". Dhe e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave të tij dhe të fjalëve të tij.
9. Ai pa një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve të tij, duke thënë: "Pashë një ëndërr tjetër! Dhe ja, dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje përkuleshin para meje".
10. Dhe ai ia tregoi këtë ëndërr atit të tij dhe vëllezërve të tij; i ati e qortoi dhe i tha: "Ç'kuptim ka ëndrra që ke parë? A do të duhet që pikërisht unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu të vijnë e të përkulemi deri në tokë para teje?".
11. Dhe vëllezërit e tij e kishin zili, por i ati e mbante përbrenda këtë gjë.
12. Ndërkaq vëllezërit e Jozefit kishin vajtur për të kullotur kopenë e atit të tyre në Sikem.