Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 34:11-23 Bibla Shqip (ALBB)

11. Pastaj Sikemi u tha të atit dhe të vëllezërve të Dinës: "Bëni që unë të gjej hir në sytë tuaj dhe do t'ju jap çfarëdo gjë që do të më kërkoni.

12. Më caktoni madje një pajë të madhe dhe një dhuratë, dhe unë do t'ju jap sa të kërkoni, por ma jepni vajzën për grua".

13. Atëherë bijtë e Jakobit iu përgjigjën Sikemit dhe Hamorit, të atit, dhe u folën atyre me dredhi, sepse Sikemi kishte çnderuar motrën e tyre Dina,

14. dhe u thanë atyre: "Nuk mund ta bëjmë këtë gjë, domethënë ta japim motrën tonë një njeriu të parrethprerë, sepse kjo do të ishte një turp për ne.

15. Vetëm me këtë kusht do ta pranojmë kërkesën tuaj, domethënë po të jetë se bëheni si ne, duke rrethprerë çdo mashkull nga ju.

16. Atëherë ne do t'ju japim bijat tona dhe do të marrim bijat tuaja, do të banojmë bashkë me ju dhe do të bëhemi një popull i vetëm.

17. Por në qoftë se nuk doni të na dëgjoni dhe nuk dëshironi të rrethpriteni, ne do të marrim bijën tonë dhe do të ikim".

18. Fjalët e tyre i pëlqyen Hamorit dhe Sikemit, birit të Hamorit.

19. Dhe i riu nuk vonoi ta kryejë atë gjë, sepse e donte të bijën e Jakobit dhe ishte njeriu më i nderuar në tërë shtëpinë e të atit.

20. Hamori dhe Sikemi, bir i tij, erdhën në portat e qytetit të tyre dhe u folën njerëzve të qytetit të tyre, duke thënë:

21. "Këta njerëz dëshirojnë të jetojnë në paqe me ne; le të rrinë në vendin tonë dhe të merren me tregti, sepse vendi është mjaft i madh edhe për ata. Ne do të marrim bijat e tyre për gra dhe do t'ju japim bijat tona.

22. Por këta njerëz do të pranojnë të banojnë me ne për të formuar një popull të vetëm, me të vetmin kusht që çdo mashkull te ne të rrethpritet, ashtu si rrethpriten ata.

23. Bagëtia e tyre, pasuria e tyre dhe kafshët e tyre a nuk do të bëhen ndofta një ditë tonat? Le të pranojmë kërkesën e tyre dhe ata do të banojnë bashkë me ne".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 34