Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 32:21-32 Bibla Shqip (ALBB)

21. Kështu dhurata shkoi para tij, por ai e kaloi natën në fushim.

22. Por atë natë ai u ngrit, mori dy gratë e tij, dy shërbëtoret dhe të njëmbëdhjetë fëmijët e tij dhe e kaloi vaun e lumit Jabbok.

23. I mori me vete dhe bëri që të kalonin përruan të gjitha gjërat që zotëronte.

24. Kështu Jakobi mbeti vetëm dhe një burrë luftoi me të deri në agim.

25. Kur ky burrë e pa se nuk mund ta mundte, i preku zgavrën e ijës; dhe zgavra e ijës së Jakobit u përdrodh, ndërsa ai luftonte kundër tij.

26. Dhe ai tha: "Lërmë të shkoj, se po lind agimi". Por Jakobi iu përgjigj: "Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!".

27. Tjetri i tha: "Cili është emri yt?". Ai u përgjigj: "Jakob".

28. Atëherë ai i tha: "Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Izrael, sepse ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ke fituar".

29. Jakobi i tha: "Të lutem, tregomë emrin tënd". Por ai iu përgjigj: "Pse e do emrin tim?".

30. Dhe kështu ai e bekoi. Atëherë Jakobi e quajti këtë vend Peniel, sepse tha: "E pashë Perëndinë ballë për ballë dhe jeta ime u fal".

31. Mbasi ai kaloi Penielin, dielli po ngrihej; dhe Jakobi çalonte për shkak të ijës.

32. Për këtë arsye, deri në ditën e sotme, bijtë e Izraelit nuk e hanë gilcën e kofshës që kalon nëpër zgavrën e ijës, sepse ai njeri kishte prekur zgavrën e ijës së Jakobit në pikën e gilcës së kofshës.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 32