Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 31:40-52 Bibla Shqip (ALBB)

40. Ky ishte fati im; ditën më ligte vapa dhe natën të ftohtit e madh, dhe gjumi më ikte nga sytë.

41. Kam qenë njëzet vjet në shtëpinë tënde; të kam shërbyer katërmbëdhjetë vjet për dy bijat e tua dhe gjashtë vjet për kopenë tënde. Ti e ke ndryshuar dhjetë herë pagesën time.

42. Në qoftë se Perëndia i atit tim, Perëndia i Abrahamit dhe Tmerri i Isakut, nuk do të kishte qenë në favorin tim, ti me siguri do të më kishe kthyer duar bosh. Perëndia e pa trishtimin tim dhe mundin e duarve të mia, dhe mbrëmë dha vendimin e tij".

43. Atëherë Labano u përgjigj dhe tha: "Këto bija janë bijat e mia, këta bij janë bijtë e mi, këto kope janë kopetë e mia, dhe gjithçka të zë syri është imja. Por çfarë mund t'u bëj sot këtyre bijave të mia apo bijve që ato kanë lindur?

44. Prandaj eja të bëjmë një besëlidhje midis teje dhe meje, dhe që ajo shërbeftë si dëshmi midis teje dhe meje".

45. Atëherë Jakobi mori një gur dhe e ngriti si një përmendore.

46. Pastaj Jakobi u tha vëllezërve të tij: "Mblidhni gurë". Dhe ata morën gurë dhe bënë një tog me ta, dhe hëngrën bukë pranë këtij togu.

47. Labano e quajti atë tog Jegar-Sahadutha, ndërsa Jakobi e quajti Galed.

48. Dhe Labano tha: "Sot ky tog është një dëshmi midis teje dhe meje". Prandaj u quajt Galed,

49. edhe Mitspah, sepse Labano tha: "Zoti të mos e ndajë syrin mua dhe ty kur do të jetë e pamundur të shohim shoqi-shoqin.

50. Në rast se ti keqtrajton bijat e mia ose martohesh me gra të tjera veç bijave të mia, edhe sikur të mos ketë asnjeri me ne, kujtohu që Perëndia është dëshmitar midis meje dhe teje".

51. Labano i tha gjithashtu Jakobit: "Ja ky tog gurësh, dhe ja përmendorja që kam ngritur midis teje dhe meje.

52. Le të jetë ky tog një dëshmi dhe le të jetë kjo përmendore një dëshmi që unë nuk do ta kapërcej këtë tog për të të bërë keq ty, dhe që ti nuk do ta kapërcesh këtë tog dhe këtë përmendore për të më bërë keq mua.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 31