Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 31:4-20 Bibla Shqip (ALBB)

4. Atëherë Jakobi dërgoi e thirri Rakelën dhe Lean, që të vinin në fushat pranë kopesë së tij,

5. dhe u tha atyre: "Unë e shoh që fytyra e atit tuaj ndaj meje nuk është si më parë; por Perëndia i atit tim ka qenë me mua.

6. Dhe ju e dini se unë i kam shërbyer atit tuaj me tërë forcën time,

7. ndërsa ati juaj më ka mashtruar dhe ka ndryshuar pagesën time dhjetë herë, por Perëndia nuk e lejoi të më bëjë të keq.

8. Në qoftë se ai thoshte: "Krerët laramane do të jenë pagesa jote", e tërë kopeja pillte qengja laramane; dhe po të thoshte: "Krerët vija-vija do të jenë pagesa jote", tërë kopeja pillte qengja vija-vija.

9. Kështu Perëndia ia hoqi bagëtinë atit tuaj dhe ma dha mua.

10. Një herë, në kohën kur kopetë hynin në afsh, unë ngrita sytë dhe pashë në ëndërr që cjeptë që ndërzenin femrat ishin vija-vija, me pulla dhe lara-lara.

11. Dhe engjëlli i Perëndisë më tha në ëndërr: "Jakob!". Unë iu përgjigja: "Ja ku jam!".

12. Atëherë ai tha: "Ço tani sytë dhe shiko: tërë deshtë që ndërzejnë femrat janë vija-vija, me pulla dhe lara-lara, sepse pashë të gjitha ato që të punon Labano.

13. Unë jam Perëndia i Bethelit, ku ti ke vajosur një përmendore dhe më lidhe një kusht. Tani çohu, lëre këtë vend dhe kthehu në vendlindjen tënde"".

14. Rakela dhe Lea iu përgjigjën dhe i thanë: "Mos kemi ndoshta ne akoma pjesë dhe trashëgimi në shtëpinë e atit tonë?

15. A nuk na ke trajtuar si të huaja për arsye se na ka shitur dhe veç kësaj ka ngrënë edhe paratë tona?

16. Të gjitha pasuritë që Perëndia i hoqi atit tonë janë tonat dhe të bijve tanë; prandaj bëj të gjitha ato që Perëndia të ka thënë".

17. Atëherë Jakobi u ngrit dhe i vuri bijtë e tij dhe gratë e tij mbi devetë,

18. dhe mori me vete tërë bagëtinë e tij duke marrë me vete gjithë pasurinë që kishte vënë, bagëtinë që i përkiste dhe atë që e kishte blerë në Padam-Aram, për të vajtur tek Isaku, në vendin e kanaanenjve.

19. Ndërsa Labano kishte vajtur të qethte dhentë e tij, Rakela vodhi idhujt e të atit.

20. Dhe Jakobi u largua fshehurazi nga Labano, Arameu, pa i thënë se kishte ndërmend të ikte.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 31