Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 31:27-42 Bibla Shqip (ALBB)

27. Pse ike dhe u largove nga unë fshehurazi, pa më lajmëruar aspak? Unë do të kisha përcjellë me gëzim dhe me këngë, me lodërz dhe qeste.

28. Dhe nuk më lejove të puth bijtë dhe bijat e mia! Ti ke vepruar pa mend.

29. Tani unë kam në dorë t'ju bëj keq, por Perëndia i atit tënd më foli natën e kaluar, duke thënë: "Ruhu, mos t'i flasësh Jakobit as për mirë apo për keq".

30. Sigurisht ike, sepse kishe një dëshirë të madhe të ktheheshe përsëri në shtëpinë e atit tënd; po pse vodhe perënditë e mia?".

31. Atëherë Jakobi iu përgjigj Labanos: "Unë kisha frikë, sepse mendoja që ti mund të më merrje me forcë bijat e tua.

32. Por kushdo qoftë ai të cilit do t'i gjesh perënditë e tu, ai duhet të vdesë në prani të vëllezërve tanë; kërko ti vetë atë që të përket tek unë dhe merre!". Jakobi nuk e dinte që ato i kishte vjedhur Rakela.

33. Kështu Labano hyri në çadrën e Jakobit, në çadrën e Leas dhe në çadrën e dy shërbyeseve, por nuk gjeti asgjë. Doli pastaj nga çadra e Leas dhe hyri në çadrën e Rakelës.

34. Por Rakela kishte marrë idhujt dhe i kishte vënë në samarin e devesë, pastaj qe ulur mbi to. Labano kërkoi në tërë çadrën, por nuk gjeti asgjë.

35. Dhe ajo i tha të atit: "Mos u zemëro, zotëria im, në rast se unë nuk mund të çohem përpara teje, sepse jam me të përmuajshmet e grave". Kështu ai kërkoi, por nuk i gjeti idhujt.

36. Atëherë Jakobi u zemërua dhe u grind me Labanon; dhe Jakobi iu përgjigj dhe i tha Labanos: "Cili është faji im, cili është mëkati im, që ti të më ndjekësh me aq tërbim?

37. Ti rrëmove në tërë gjërat e mia. Çfarë gjete nga të gjitha ato që i përkasin shtëpisë sate? Vëri këtu para vëllezërve të mi dhe vëllezërve të tu dhe le të vendosin ata midis nesh të dy!

38. Kam qenë njëzet vjet me ty; delet dhe dhitë e tua nuk kanë dështuar dhe unë nuk kam ngrënë deshtë e kopesë sate.

39. Unë nuk t'i kam sjellë kurrë kafshët të shqyera nga bishat; dëmin e kam pësuar vetë; ti kërkoje me ngulm nga unë atë që ishte vjedhur ditën apo natën.

40. Ky ishte fati im; ditën më ligte vapa dhe natën të ftohtit e madh, dhe gjumi më ikte nga sytë.

41. Kam qenë njëzet vjet në shtëpinë tënde; të kam shërbyer katërmbëdhjetë vjet për dy bijat e tua dhe gjashtë vjet për kopenë tënde. Ti e ke ndryshuar dhjetë herë pagesën time.

42. Në qoftë se Perëndia i atit tim, Perëndia i Abrahamit dhe Tmerri i Isakut, nuk do të kishte qenë në favorin tim, ti me siguri do të më kishe kthyer duar bosh. Perëndia e pa trishtimin tim dhe mundin e duarve të mia, dhe mbrëmë dha vendimin e tij".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 31