Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 30:20-36 Bibla Shqip (ALBB)

20. Atëherë Lea tha: "Perëndia më ka dhënë një dhunti të mirë; këtë radhë burri im do të banojë me mua, sepse i kam lindur gjashtë bij". Dhe i vuri emrin Zabulon.

21. Pastaj lindi një bijë dhe e quajti Dina.

22. Perëndia u kujtua edhe për Rakelën; dhe Perëndia ia plotësoi dëshirën dhe e bëri të frytshme;

23. kështu ajo u ngjiz dhe lindi një djalë, dhe tha: "Perëndia e hoqi turpin tim".

24. Dhe e quajti Jozef, duke thënë: "Zoti më shtoftë një bir tjetër".

25. Mbas lindjes së Jozefit nga Rakela, Jakobi i tha Labanos: "Më lejo të iki, që të shkoj në shtëpinë time, në vendin tim.

26. Më jep gratë e mia dhe bijtë e mi, për të cilët të kam shërbyer dhe lërmë të iki, mbasi ti e njeh mirë shërbimin që të kam bërë".

27. Por Labano i tha: "Në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, qëndro, sepse kam prekur me dorë që Zoti më ka bekuar për shkakun tënd".

28. Pastaj tha: "Ma cakto pagesën tënde dhe unë do të ta jap".

29. Jakobi iu përgjigj: "Ti e di si të kam shërbyer, dhe çfarë i ka ndodhur bagëtisë sate në duart e mia.

30. Sepse ajo që ti kishe para se të vija unë ishte pak, por tani është rritur shumë; dhe Zoti të ka bekuar kudo që kam qenë unë. Por tani kur do të punoj edhe për shtëpinë time?".

31. Labano tha: "Sa duhet të të jap?". Jakobi iu përgjigj: "Nuk duhet të më japësh asgjë; në qoftë se ti do të bësh atë që po të them, do të mbetem këtu për të kullotur kopetë e tua dhe për t'u kujdesur për to.

32. Do të kaloj ditën e sotme në mes tërë kopeve të tua dhe do të veçoj të gjitha kafshët laramane dhe pikalarme, të gjithë qengjat e zinj dhe të gjitha dhitë lara-lara ose pika-pika. Dhe këto kafshë do të jenë pagesa ime.

33. Kështu tani e tutje ndershmëria ime do të përgjigjet para teje për personin tim, kur do të vish të kontrollosh pagesën time; çdo bagëti që nuk është laramane a me pika midis dhive dhe çdo qengj jo i zi do të konsiderohet i vjedhur po të gjendet pranë meje".

34. Labano tha: "Mirë, le të bëhet ashtu si thua ti!".

35. dhe po atë ditë veçoi cjeptë vija-vija dhe me pika dhe të gjitha dhitë laramane dhe pika pika, çdo bagëti që kishte një njollë të bardhë apo çdo dele e zezë midis dhenve, dhe ua la bijve të vet.

36. Dhe Labano vendosi një distancë prej tri ditësh me këmbë midis vetes së tij dhe Jakobit; dhe Jakobi kulloste pjesën që mbeti nga kopetë e Labanos.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 30