8. Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit.
9. Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: "Ku je?".
10. Ai u përgjigj: "Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha".
11. Dhe Perëndia i tha: "Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?".
12. Njeriu u përgjigj: "Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra".
13. Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: "Pse e bëre këtë?". Gruaja u përgjigj: "Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj".
14. Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: "Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate.
15. Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj".
16. Gruas i tha: "Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty".
17. Pastaj i tha Adamit: "Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: "Mos ha prej saj", toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frytin e saj me mund tërë ditët e jetës sate.
18. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave;
19. do të hash bukën me djersën e ballit, derisa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh".