Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 3:13-24 Bibla Shqip (ALBB)

13. Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: "Pse e bëre këtë?". Gruaja u përgjigj: "Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj".

14. Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: "Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate.

15. Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj".

16. Gruas i tha: "Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty".

17. Pastaj i tha Adamit: "Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: "Mos ha prej saj", toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frytin e saj me mund tërë ditët e jetës sate.

18. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave;

19. do të hash bukën me djersën e ballit, derisa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh".

20. Dhe burri i vuri gruas së tij emrin Evë, sepse ajo qe nëna e tërë të gjallëve.

21. Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi.

22. Dhe Zoti Perëndi tha: "Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t'i lejohet të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë përgjithnjë".

23. Prandaj Zoti Perëndi e dëboi njeriun nga kopshti i Edenit, me qëllim, që të punonte tokën nga e cila kishte dalë.

24. Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 3