Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 27:5-22 Bibla Shqip (ALBB)

5. Tani Rebeka rrinte duke dëgjuar, ndërsa Isaku i fliste birit të tij Esau. Kështu Esau shkoi nëpër fusha për të gjuajtur kafshë të egra për t'ia shpënë të atit.

6. Atëherë Rebeka i foli Jakobit, birit të saj, dhe i tha: "Ja, unë dëgjova babanë tënd që i fliste Esaut, vëllait tënd duke i thënë:

7. "Më sill gjah dhe më përgatit një gjellë të shijshme, që unë ta ha dhe të të bekoj në prani të Zotit, para se të vdes".

8. Prandaj, biri im, bindju zërit tim dhe bëj atë që të urdhëroj.

9. Shko tani në kope dhe më sill dy keca të mirë; unë do të përgatis një gjellë të shijshme për babanë tënd, nga ato që i pëlqejnë atij.

10. Pastaj ti do t'ia çosh babait tënd që ta hajë, dhe kështu ai do të bekojë para se të vdesë".

11. Jakobi i tha Rebekës, nënës së tij: "Ja, vëllai im Esau është leshtor, ndërsa unë e kam lëkurën të lëmuar.

12. Ndofta babai im më prek me dorë; do t'i dukem atij mashtrues dhe do të tërheq mbi vete një mallkim në vend të një bekimi".

13. Por nëna e tij iu përgjigj: "Ky mallkim le të bjerë mbi mua, biri im! Bindju vetëm asaj që të thashë dhe shko të marrësh kecat".

14. Ai vajti pra t'i marrë dhe ia çoi nënës së tij; dhe e ëma përgatiti me to një gjellë të shijshme, nga ato që i pëlqenin babait të tij.

15. Pastaj Rebeka mori rrobat më të bukura të Esaut, birit të saj më të madh, që i mbante në shtëpi pranë vetes, dhe ia veshi Jakobit, birit të saj më të vogël;

16. dhe me lëkurët e kecave veshi duart e tij dhe pjesën e lëmuar të qafës së tij.

17. Pastaj vuri në dorë të Jakobit, birit të saj, gjellën e shijshme dhe bukën që kishte përgatitur.

18. Atëherë ai shkoi tek i ati dhe i tha: "Ati im!". Isaku u përgjigj: "Ja ku jam; kush je ti, biri im?".

19. Atëherë Jakobi i tha babait të tij: "Jam Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më ke thënë. Tani çohu, ulu dhe fillo të hash nga gjahu im, me qëllim që shpirti yt të më bekojë".

20. Por Isaku i tha të birit: "Por si bëre që e gjete kaq shpejt, biri im?". Ai u përgjigj: "Sepse Zoti, Perëndia yt, bëri që të vijë tek unë".

21. Atëherë Isaku i tha Jakobit: "Afrohu dhe lërmë të të prek, biri im, për të ditur nëse je pikërisht biri im Esau ose jo".

22. Dhe kështu Jakobi iu afrua Isakut, babait të tij; dhe mbasi ky e preku me dorë, tha: "Zëri është i Jakobit, por duart janë duart e Esaut".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 27