Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 27:32-46 Bibla Shqip (ALBB)

32. Isaku, babai i tij, i tha: "Kush je ti?". Ai u përgjigj: "Jam Esau, biri yt i parëlindur".

33. Atëherë Isakun e zunë ca të dridhura shumë të forta dhe i tha: "Kush është ai, pra, që gjuajti gjahun dhe ma solli? Unë i hëngra të gjitha para se të vije ti dhe e bekova; dhe i bekuar ka për të mbetur ai".

34. Me të dëgjuar fjalët e të atit, Esau dha një ulërimë të fortë dhe shumë të hidhur. Pastaj i tha të atit: "Bekomë edhe mua, ati im!".

35. Por Isaku iu përgjigj: "Yt vëlla erdhi me mashtrim dhe mori bekimin tënd".

36. Esau i tha: "Jo më kot është quajtur Jakob? Ai ma zuri vendin deri tani dy herë: më hoqi parëbirninë dhe ja tani po merr bekimin tim". Pastaj shtoi: "A nuk ke ruajtur një bekim për mua?".

37. Atëherë Isaku u përgjigj dhe i tha Esaut: "Ja, unë e bëra zotërinë tënd dhe i dhashë tërë vëllezërit e tij si shërbëtorë, dhe e pajisa me grurë dhe me verë; ç'mund të bëj për ty, biri im?".

38. Esau i tha babait të tij: "A ke vetëm këtë bekim, ati im? Bekomë edhe mua, o ati im!". Dhe Esau ngriti zërin dhe qau.

39. Isaku, babai i tij, u përgjigj duke i thënë: "Ja, banesa jote do të privohet nga pjelloria e tokës dhe nga vesa që zbret nga lartësia e qiellit.

40. Ti do të jetosh me shpatën tënde dhe do të jesh shërbëtori i vëllait tënd; por do të ndodhë që, kur do të luftosh, do ta thyesh zgjedhën e tij nga qafa jote".

41. Kështu Esau filloi ta urrejë Jakobin për shkak të bekimit që i kishte dhënë i ati, dhe tha në zemër të vet: "Ditët e zisë për babanë po afrohen; atëherë do të vras vëllanë tim Jakobin".

42. Kur i treguan Rebekës fjalët e Esaut, birit të saj më të madh, ajo dërgoi ta thërrasin birin e saj më të vogël, Jakobin, dhe i tha: "Ja, Esau, yt vëlla, ngushëllohet ndaj teje, duke menduar të të vrasë.

43. Prandaj, biri im, bindju fjalëve që të them: Çohu dhe ik shpejt në Haran te Labano, vëllai im;

44. dhe qëndro ca kohë me të, derisa t'i kalojë zemërimi vëllait tënd,

45. derisa mëria e vëllait tënd të largohet prej teje dhe ai të harrojë atë që i ke bërë; atëherë do të dërgojë njerëz që të të marrin prej andej. Pse duhet t'ju humbas që të dyve brenda një dite të vetme?".

46. Pastaj Rebeka i tha Isakut: "Jam neveritur nga jeta për shkak të bijave të Hethit. Në rast se Jakobi merr për grua një nga bijat e Hethit, një grua si ato të vendit, ç'më duhet jeta?".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 27