Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 27:13-26 Bibla Shqip (ALBB)

13. Por nëna e tij iu përgjigj: "Ky mallkim le të bjerë mbi mua, biri im! Bindju vetëm asaj që të thashë dhe shko të marrësh kecat".

14. Ai vajti pra t'i marrë dhe ia çoi nënës së tij; dhe e ëma përgatiti me to një gjellë të shijshme, nga ato që i pëlqenin babait të tij.

15. Pastaj Rebeka mori rrobat më të bukura të Esaut, birit të saj më të madh, që i mbante në shtëpi pranë vetes, dhe ia veshi Jakobit, birit të saj më të vogël;

16. dhe me lëkurët e kecave veshi duart e tij dhe pjesën e lëmuar të qafës së tij.

17. Pastaj vuri në dorë të Jakobit, birit të saj, gjellën e shijshme dhe bukën që kishte përgatitur.

18. Atëherë ai shkoi tek i ati dhe i tha: "Ati im!". Isaku u përgjigj: "Ja ku jam; kush je ti, biri im?".

19. Atëherë Jakobi i tha babait të tij: "Jam Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më ke thënë. Tani çohu, ulu dhe fillo të hash nga gjahu im, me qëllim që shpirti yt të më bekojë".

20. Por Isaku i tha të birit: "Por si bëre që e gjete kaq shpejt, biri im?". Ai u përgjigj: "Sepse Zoti, Perëndia yt, bëri që të vijë tek unë".

21. Atëherë Isaku i tha Jakobit: "Afrohu dhe lërmë të të prek, biri im, për të ditur nëse je pikërisht biri im Esau ose jo".

22. Dhe kështu Jakobi iu afrua Isakut, babait të tij; dhe mbasi ky e preku me dorë, tha: "Zëri është i Jakobit, por duart janë duart e Esaut".

23. Kështu ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore ashtu si duart e vëllait të tij Esau; dhe e bekoi.

24. Dhe tha: "A je ti me të vërtetë biri im Esau?". Ai u përgjigj: "Po".

25. Atëherë Isaku i tha: "Më shërbe që të ha nga gjahu i birit tim dhe shpirti im të të bekojë". Kështu Jakobi i shërbeu dhe Isaku hëngri. Jakobi i solli edhe verë dhe ai e piu.

26. Pastaj babai i tij Isaku i tha: "Tani afrohu dhe më puth, biri im".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 27