Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 26:2-19 Bibla Shqip (ALBB)

2. Atëherë Zoti iu shfaq dhe i tha: "Mos zbrit në Egjipt, qëndro në vendin që do të të them.

3. Qëndro në këtë vend dhe unë do të jem me ty dhe do të të bekoj, sepse kam për të të dhënë ty dhe pasardhësve të tu tërë këto vende dhe do ta mbaj betimin që i kam bërë Abrahamit, babait tënd,

4. dhe do t'i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit; do t'u jap atyre tërë këto vende, dhe të gjitha kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu,

5. sepse Abrahami iu bind vullnetit tim dhe respektoi urdhrat, urdhërimet, statutet dhe ligjet e mia".

6. Kështu Isaku qëndroi në Gerar.

7. Kur njerëzit e vendit i bënin pyetje rreth gruas së tij, ai u përgjigjej: "Është motra ime", sepse kishte frikë të thoshte: "Është gruaja ime", sepse mendonte: "Njerëzit e vendit mund të më vrasin për shkak të Rebekës, sepse ajo është e pashme".

8. Kur kishte kaluar një kohë e gjatë në atë vend, Abimelekut, mbretit të filistenjve, i rastisi të shikojë nga dritarja dhe pa Isakun që përkëdhelte Rebekën, gruan e tij.

9. Atëherë Abimeleku thirri Isakun dhe i tha: "Ajo është me siguri gruaja jote; si bëhet që ti the: "Ajo është motra ime"?". Isaku iu përgjigj: "Sepse thosha: "Nuk do të doja të vdes për shkak të saj"".

10. Abimeleku tha: "Ç'është kjo që na bëre? Ndokush nga populli mund të binte lehtë në shtrat me gruan tënde dhe ti do të na kishe ngarkuar me faj të rëndë".

11. Kështu Abimeleku i dha këtë urdhër tërë popullit: "Kushdo që prek këtë njeri ose të shoqen do të dënohet pa tjetër me vdekje".

12. Isaku mbolli në atë vend dhe po atë vit korri një prodhim njëqind herë më të madh; dhe Zoti e bekoi.

13. Ky njeri u bë i madh dhe vazhdoi të rritet derisa u bë jashtëzakonisht i madh.

14. Ai arriti të zotërojë kope dhensh dhe qesh dhe kishte një numër të madh shërbëtorësh. Kështu filistenjtë e patën zili,

15. dhe për këtë arsye i zunë, duke i mbushur me dhe, tërë puset që shërbëtorët e babait të tij kishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij.

16. Atëherë Abimeleku i tha Isakut: "Largohu nga ne, sepse ti je shumë më i fuqishëm se ne".

17. Kështu Isaku u largua që andej dhe u vendos në luginën e Gerarit, dhe aty banoi.

18. Dhe Isaku filloi të hapë puse uji që ishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij, dhe që filistenjtë i kishin mbyllur mbas vdekjes së Abrahamit, dhe u vuri po ato emra që u kishte vënë babai i tij.

19. Pastaj shërbëtorët e Isakut gërmuan në luginë dhe gjetën aty një pus me ujë të freskët.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 26