Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 26:14-26 Bibla Shqip (ALBB)

14. Ai arriti të zotërojë kope dhensh dhe qesh dhe kishte një numër të madh shërbëtorësh. Kështu filistenjtë e patën zili,

15. dhe për këtë arsye i zunë, duke i mbushur me dhe, tërë puset që shërbëtorët e babait të tij kishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij.

16. Atëherë Abimeleku i tha Isakut: "Largohu nga ne, sepse ti je shumë më i fuqishëm se ne".

17. Kështu Isaku u largua që andej dhe u vendos në luginën e Gerarit, dhe aty banoi.

18. Dhe Isaku filloi të hapë puse uji që ishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij, dhe që filistenjtë i kishin mbyllur mbas vdekjes së Abrahamit, dhe u vuri po ato emra që u kishte vënë babai i tij.

19. Pastaj shërbëtorët e Isakut gërmuan në luginë dhe gjetën aty një pus me ujë të freskët.

20. Por barinjtë e Gerarit u grindën me çobanët e Isakut, duke u thënë: "Uji është yni". Dhe ai e quajti pusin Esek, sepse ata e kishin kundërshtuar.

21. Shërbëtorët hapën pastaj një pus tjetër, por ata kundërshtuan edhe për këtë. Dhe Isaku e quajti Sitnah.

22. Atëherë ai u largua që andej dhe hapi një pus tjetër për të cilin nuk pati kundërshtim. Dhe ai e quajti atë Rehoboth, sepse ai tha: "Tani Zoti na ka vënë larg dhe ne do të kemi mbarësi në këtë vend".

23. Pastaj së këtejmi Isaku u ngjit në Beer-Sheba.

24. Dhe Zoti iu shfaq po atë natë dhe i tha: "Unë jam Perëndia i Abrahamit, babait tënd; mos ki frikë, sepse unë jam me ty; do të të bekoj dhe do të shumoj pasardhësit e tu, për hir të Abrahamit, shërbëtorit tim".

25. Atëherë ai ndërtoi në atë vend një altar dhe përmendi emrin e Zotit, dhe po aty ai ngriti edhe çadrën e tij. Aty shërbëtorët e Isakut hapën një pus.

26. Pastaj Abimeleku nga Gerari shkoi tek ai bashkë me Ahucathin, mikun e tij, dhe me Pikolin, kreun e ushtrisë së tij.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 26