Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 24:47-60 Bibla Shqip (ALBB)

47. Atëherë e pyeta dhe i thashë: "Bijë e kujt je?". Ajo m'u përgjigj: "Jam bijë e Bethuelit, biri i Nahorit, që Milkah lindi". Kështu unë i vura unazën në hundë dhe byzylykët në kyçet e dorës.

48. Pastaj u përkula, adhurova Zotin dhe e bekova Zotin, Perëndinë e Abrahamit, zotërisë tim, që më ka çuar në rrugën e drejtë për të marrë për birin e tij bijën e vëllait të zotërisë tim.

49. Dhe tani në rast se doni të silleni me dashamirësi dhe besnikëri ndaj zotërisë tim, duhet të ma thoni; në rast se jo, ma thoni njëlloj dhe unë do të kthehem djathtas ose majtas".

50. Atëherë Labano dhe Bethueli u përgjigjën dhe thanë: "Kjo varet nga Zoti; ne nuk mund të flasim as për mirë as për keq.

51. Ja, Rebeka është këtu para teje, merre me vete, shko dhe ajo të bëhet gruaja e birit të zotërisë tënd, ashtu siç ka thënë Zoti".

52. Kur shërbëtori i Abrahamit dëgjoi fjalët e tyre u përul për tokë përpara Zotit.

53. Shërbëtori nxori sende të argjendta dhe të arta si dhe rroba dhe ia dha Rebekës; dhe u dhuroi gjithashtu sende të vlefshme vëllait dhe nënës së Rebekës.

54. Pastaj hëngrën e pinë ai dhe njerëzit që ishin bashkë me të; u ndalën vetëm atë natë. Kur u ngritën në mëngjes, shërbëtori tha: "Më lini të kthehem te zotëria im".

55. Vëllai dhe nëna e Rebekës thanë: "Lëre që vajza të rrijë disa ditë me ne, të paktën dhjetë ditë; pastaj mund të ikë".

56. Por ai iu përgjigj atyre: "Mos më mbani, sepse Zoti e ka bërë të mbarë udhëtimin tim; më lini të iki, që unë të kthehem te zotëria im".

57. Atëherë ata i thanë: "Të thërresim vajzën dhe ta pyesim atë".

58. Atëherë thirrën Rebekën dhe i thanë: "A do të shkosh me këtë njeri?". Ajo u përgjigj: "Po, do të shkoj".

59. Kështu e lanë Rebekën, motrën e tyre, të shkojë dhe tajën e saj të shkojë me shërbëtorin dhe njerëzit e Abrahamit.

60. Dhe e bekuan Rebekën dhe i thanë: "Motra jonë, ti u bëfsh nëna e mijëra mizëri njerëzish dhe pasardhësit e tu paçin në dorë portat e armiqve të tyre".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 24