Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 24:39-51 Bibla Shqip (ALBB)

39. Atëherë unë i thashë zotërisë tim: "Ndofta gruaja nuk do të dojë të më ndjekë".

40. Por ai u përgjigj: "Zoti, para të cilit kam ecur, do të dërgojë engjëllin e tij bashkë me ty dhe do ta bëj të mbarë udhëtimin tënd, dhe ti do të marrësh për birin tim një grua nga farefisi im dhe nga shtëpia e babait tim.

41. Do të lirohesh nga betimi që më ke bërë kur të shkosh tek afria ime; dhe po të jetë se nuk duan të ta japin, do të lirohesh nga betimi që më ke bërë".

42. Sot kam arritur te burimi dhe thashë: "O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, në rast se të pëlqen kështu, të lutem bëje të mbarë udhëtimin që kam filluar;

43. Ja, unë po ndalem pranë burimit të ujit; bëj që vajza që ka për të dalë për të marrë ujë dhe së cilës do t'i them: "Lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote",

44. dhe që do të më thotë: "Pi sa ke nevojë dhe do të marr ujë edhe për devetë e tua", le të jetë gruaja që Zoti i ka caktuar djalit të zotërisë tim.

45. Para se unë të kisha mbaruar së foluri në zemrën time, doli jashtë Rebeka me shtambën e saj mbi shpatull; ajo zbriti te burimi dhe mbushi ujë. Atëherë unë i thashë:

46. "Oh, lërmë të pi!". Dhe ajo shpejtoi ta ulte shtambën nga shpatulla e saj dhe u përgjigj: "Pi dhe do t'u jap të pinë edhe deveve të tua". Kështu unë piva dhe ajo u dha të pinë edhe deveve.

47. Atëherë e pyeta dhe i thashë: "Bijë e kujt je?". Ajo m'u përgjigj: "Jam bijë e Bethuelit, biri i Nahorit, që Milkah lindi". Kështu unë i vura unazën në hundë dhe byzylykët në kyçet e dorës.

48. Pastaj u përkula, adhurova Zotin dhe e bekova Zotin, Perëndinë e Abrahamit, zotërisë tim, që më ka çuar në rrugën e drejtë për të marrë për birin e tij bijën e vëllait të zotërisë tim.

49. Dhe tani në rast se doni të silleni me dashamirësi dhe besnikëri ndaj zotërisë tim, duhet të ma thoni; në rast se jo, ma thoni njëlloj dhe unë do të kthehem djathtas ose majtas".

50. Atëherë Labano dhe Bethueli u përgjigjën dhe thanë: "Kjo varet nga Zoti; ne nuk mund të flasim as për mirë as për keq.

51. Ja, Rebeka është këtu para teje, merre me vete, shko dhe ajo të bëhet gruaja e birit të zotërisë tënd, ashtu siç ka thënë Zoti".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 24