Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 24:3-20 Bibla Shqip (ALBB)

3. dhe unë do të bëj që ti të betohesh në emër të Zotit, Perëndisë së qiejve dhe Perëndisë të tokës, që ti nuk do t'i marrësh për grua djalit tim asnjë prej bijave të kanaanenjve në mes të të cilëve unë banoj;

4. por do të shkosh në vendin tim dhe te fisi im për të marrë një grua për djalin tim, për Isakun".

5. Shërbëtori iu përgjigj: "Ndofta ajo grua nuk dëshiron të më ndjekë në këtë vend; a duhet ta çoj atëherë përsëri birin tënd në vendin nga ke dalë?".

6. Atëherë Abrahami i tha: "Ruhu e mos e ço birin tim atje!

7. Zoti, Perëndia i qiellit, që më hoqi nga shtëpia e atit tim dhe nga vendi ku kam lindur, më foli dhe m'u betua duke thënë: "Unë do t'ua jap këtë vend pasardhësve të tu", ai do të dërgojë engjëllin e tij para teje dhe ti do të marrësh andej një grua për birin tim.

8. Dhe në qoftë se gruaja nuk dëshiron të të ndjekë, atëherë ti do të lirohesh nga ky betim që më ke bërë; vetëm mos e kthe tim bir atje".

9. Kështu shërbyesi e vuri dorën nën kofshën e Abrahamit, zotit të tij, dhe iu betua lidhur me këtë problem.

10. Pastaj shërbyesi mori dhjetë deve nga devetë e zotit të tij dhe u nis, duke pasur me vete çdo lloj të mirash të zotërisë së tij. Ai e nisi rrugën dhe shkoi në Mesopotami, në qytetin e Nahorit.

11. Dhe i gjunjëzoi devetë jashtë qytetit pranë një pusi uji, aty nga mbrëmja, në kohën kur gratë dalin për të marrë ujë, dhe tha:

12. "O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, të lutem bëj që sot të kem mundësinë të kem një takim të lumtur, trego dashamirësi ndaj Abrahamit, zotit tim!

13. Ja, unë po rri pranë këtij burimi ujërash, ndërsa bijat e banorëve të qytetit dalin për të mbushur ujë.

14. Bëj që vajza së cilës do t'i them: "Ah, ule shtambën tënde që unë të pi" dhe që do të më përgjigjet: "Pi, dhe kam për t'u dhënë për të pirë edhe deveve të tu", të jetë ajo që ti ja ke caktuar shërbyesit tënd Isak. Nga kjo unë do të kuptoj që ti ke treguar dashamirësi ndaj zotërisë tim".

15. Ai s'kishte mbaruar së foluri, kur, ja, doli Rebeka me shtambën në shpatullën e saj; ajo ishte e bija e Bethuelit, biri i Mikailit, gruaja e Nahorit dhe vëllai i Abrahamit.

16. Vajza ishte shumë e bukur, e virgjër dhe asnjë burrë nuk e kishte njohur kurrë. Ajo zbriti në burim, mbushi shtambën e saj dhe u ngjit përsëri lart.

17. Atëherë shërbyesi vrapoi në drejtim të saj dhe i tha: "Lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote".

18. Ajo u përgjigj: "Pi, zotëria im"; pastaj shpejtoi ta ulë shtambën mbi dorë dhe i dha të pijë.

19. Sapo mbaroi së dhëni ujë për të pirë, tha: "Do të mbush ujë edhe për devetë e tua, derisa të ngopen me ujë".

20. Me nxitim e zbrazi shtambën e saj në koritë, vrapoi përsëri te burimi për të mbushur ujë për të gjithë devetë e tij.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 24