Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 24:11-27 Bibla Shqip (ALBB)

11. Dhe i gjunjëzoi devetë jashtë qytetit pranë një pusi uji, aty nga mbrëmja, në kohën kur gratë dalin për të marrë ujë, dhe tha:

12. "O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, të lutem bëj që sot të kem mundësinë të kem një takim të lumtur, trego dashamirësi ndaj Abrahamit, zotit tim!

13. Ja, unë po rri pranë këtij burimi ujërash, ndërsa bijat e banorëve të qytetit dalin për të mbushur ujë.

14. Bëj që vajza së cilës do t'i them: "Ah, ule shtambën tënde që unë të pi" dhe që do të më përgjigjet: "Pi, dhe kam për t'u dhënë për të pirë edhe deveve të tu", të jetë ajo që ti ja ke caktuar shërbyesit tënd Isak. Nga kjo unë do të kuptoj që ti ke treguar dashamirësi ndaj zotërisë tim".

15. Ai s'kishte mbaruar së foluri, kur, ja, doli Rebeka me shtambën në shpatullën e saj; ajo ishte e bija e Bethuelit, biri i Mikailit, gruaja e Nahorit dhe vëllai i Abrahamit.

16. Vajza ishte shumë e bukur, e virgjër dhe asnjë burrë nuk e kishte njohur kurrë. Ajo zbriti në burim, mbushi shtambën e saj dhe u ngjit përsëri lart.

17. Atëherë shërbyesi vrapoi në drejtim të saj dhe i tha: "Lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote".

18. Ajo u përgjigj: "Pi, zotëria im"; pastaj shpejtoi ta ulë shtambën mbi dorë dhe i dha të pijë.

19. Sapo mbaroi së dhëni ujë për të pirë, tha: "Do të mbush ujë edhe për devetë e tua, derisa të ngopen me ujë".

20. Me nxitim e zbrazi shtambën e saj në koritë, vrapoi përsëri te burimi për të mbushur ujë për të gjithë devetë e tij.

21. Ndërkaq ai njeri e sodiste në heshtje, për të mësuar në qoftë se Zoti e kishte bërë të mbarë apo jo udhëtimin e tij.

22. Kur devetë mbaruan së piri, njeriu mori një unazë floriri për hundën që peshonte gjysmë sikli dhe dy byzylykë me një peshë prej dhjetë siklash ari për kyçin e dorës së saj, dhe tha:

23. "Bijë e kujt je? Ma thuaj, të lutem. A ka vend në shtëpinë e babait tënd për ne, që ta kalojmë natën?".

24. Ajo u përgjigj: "Unë jam bijë e Bethuelit, i biri i Milkahut, që ajo i lindi në Nahor".

25. Dhe shtoi: "Tek ne ka shumë kashtë dhe forazh si dhe vend për të kaluar natën".

26. Atëherë njeriu u përkul, adhuroi Zotin dhe tha:

27. "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Abrahamit, zotërisë tim, që nuk ka pushuar të jetë dashamirës dhe besnik ndaj zotërisë tim! Sa për mua, gjatë udhëtimit, Zoti më çoi në shtëpinë e vëllezërve të zotërisë tim".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 24