6. "Dëgjona, o zoti im! Ti je midis nesh një princ i Perëndisë, varrose të vdekurën tënde në më të mirën nga varrezat tona, asnjeri prej nesh s'do të refuzojë varrin e tij, me qëllim që ti të varrosësh aty të vdekurën tënde".
7. Atëherë Abrahami u ngrit, u përul para popullit të vendit, para bijve të Hethit,
8. dhe u foli atyre duke thënë: "Në rast se ju pëlqen që unë ta varros të vdekurën time duke e hequr nga sytë e mi, dëgjomëni. Ndërhyni për mua tek Efroni, bir i Zoharit,
9. që të më japë shpellën e Makpelahut, që i përket dhe që ndodhet në skajin e arës së tij; por që të më japë në pronësi me çmimin e tij të plotë si vend varrimi midis jush".
10. Tani Efroni ndodhej në mes të bijve të Hethit; dhe Efroni, hiteu, iu përgjigj Abrahamit në prani të bijve të Hethit, të të gjithë atyre që hynin nëpër portën e qytetit të tij, duke thënë:
11. "Jo, zoti im, dëgjomë! Unë të fal arën dhe shpellën që ndodhet aty; po ta dhuroj në prani të bijve të popullit tim; po ta bëj dhuratë. Varrose të vdekurën tënde".
12. Atëherë Abrahami u përkul para popullit të vendit,
13. dhe i foli Efronit në prani të popullit të vendit duke thënë: "Dëgjomë, të lutem! Unë do të jap çmimin e arës, pranoje nga unë, kështu unë do të mund të varros aty të vdekurën time".
14. Efroni iu përgjigj Abrahamit, duke i thënë:
15. "Zoti im, dëgjomë! Toka vlen katërqind monedha argjendi. Ç'është kjo midis meje dhe teje? Varrose, pra, të vdekurën tënde".
16. Atëherë Abrahami zbatoi fjalën e Efronit; dhe Abrahami i peshoi Efronit çmimin që i kishte thënë në prani të bijve të Hethit: katërqind monedha argjendi, monedha që tregtarët përdornin midis tyre zakonisht.