Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 21:17-32 Bibla Shqip (ALBB)

17. Dhe Perëndia dëgjoi zërin e djaloshit dhe engjëlli i Perëndisë thirri Agarin nga qielli dhe i tha: "Çfarë ke, Agar? Mos ki frikë, se Perëndia ka dëgjuar zërin e djaloshit aty ku ndodhet.

18. Çohu, çoje djaloshin dhe mbaje fort me dorën tënde, sepse unë do të bëj prej tij një komb të madh".

19. Atëherë Perëndia ia hapi sytë dhe ajo pa një pus uji: kështu vajti të mbushë calikun me ujë dhe i dha të pijë djaloshit.

20. Dhe Perëndia qe me djaloshin; ai u rrit, banoi në shkretëtirë dhe u bë shenjëtar harku.

21. Ai banoi në shkretëtirën e Paranit dhe nëna e tij e martoi me një grua nga Egjipti.

22. Në atë kohë Abimeleku, së bashku me Pikolin, kreu i ushtrisë së tij, i foli Abrahamit duke i thënë: "Perëndia është me ty në tërë ato që bën;

23. prandaj betohu këtu në emër të Perëndisë që ti s'ke për të gënjyer as mua, as bijtë e mi, as nipërit e mi, që ti do të përdorësh ndaj meje dhe vendit ku ke banuar si i huaj po atë dashamirësi që unë kam treguar ndaj teje".

24. Abrahami u përgjigj: "Betohem".

25. Pastaj Abrahami e qortoi Abimelekun për shkak të një pusi uji që shërbyesit e Abimelekut e kishin shtënë në dorë.

26. Abimeleku tha: "Unë nuk e di se kush e ka bërë këtë gjë; ti vetë nuk ma ke njoftuar dhe unë vetëm sot dëgjova të flitet për këtë ngjarje".

27. Atëherë Abrahami mori dele dhe qe dhe ia dha Abimelekut; dhe të dy lidhën aleancë.

28. Pastaj Abrahami vuri mënjanë shtatë qengja femër të kopesë.

29. Dhe Abimeleku i tha Abrahamit: "Ç'kuptim ka ajo që ke vënë shtatë qengja mënjanë?".

30. Abrahami u përgjigj: "Ti do t'i pranosh nga dora ime këto shtatë qengja, me qëllim që kjo të më vlejë si dëshmi që unë e kam hapur këtë pus".

31. Prandaj ai e quajti këtë vend Beer-Sheba, sepse aty që të dy ishin betuar.

32. Kështu lidhën aleancë në Beer-Sheba. Pastaj Abimeleku dhe Pikoli, kreu i ushtrisë të tij, u ngritën dhe u kthyen në vendin e filistenjve.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 21