Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 19:25-38 Bibla Shqip (ALBB)

25. Kështu ai shkatërroi ato qytete, tërë fushën, tërë banorët e qytetit e gjithçka mbinte mbi tokën.

26. Por gruaja e Lotit solli kryet për të shikuar prapa dhe u bë një statujë prej kripe.

27. Abrahami u ngrit herët në mëngjes dhe shkoi në vendin ku kishte qëndruar para Zotit;

28. pastaj drejtoi shikimin nga Sodoma dhe Gomora si dhe nga tërë krahina e fushës, dhe kështu pa një tym që ngrihej nga toka, si tymi i një furre.

29. Kështu ndodhi që kur Perëndia shkatërroi qytetin e fushës, Perëndisë iu kujtua Abrahami dhe e largoi Lotin nga gjëma kur shkatërroi qytetet ku Loti kishte banuar.

30. Pastaj Loti doli nga Coari dhe shkoi të banojë në mal bashkë me dy bijat e tij, sepse kishte frikë të qëndronte në Coar; dhe u vendos në një shpellë bashkë me dy bijat e tij.

31. Më e madhja i tha më të voglës: "Babai ynë është plak, dhe nuk ka asnjë burrë në vend që mund të bashkohet me ne, ashtu siç ndodh mbi gjithë tokën.

32. Eja, t'i japim verë babait tonë e të shtrihemi bashkë me të; kështu do të mund t'i sigurojmë pasardhës babait tonë".

33. Kështu po atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe e madhja u shtri bashkë me të atin, por ai nuk u kujtua as kur ajo u shtri me të, as kur u ngrit.

34. Të nesërmen vajza më e madhe i tha më të voglës: "Ja, natën e kaluar unë rashë në shtrat bashkë me babanë tim; le të bëjmë që ai të pijë verë edhe sonte; pastaj ti futu dhe shtrihu me të, që të mund t'i sigurojmë pasardhës babait tonë".

35. Edhe atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe më e vogla shkoi të shtrihet bashkë me të, dhe ai nuk u kujtua as kur u shtri, as kur u ngrit.

36. Kështu dy bijat e Lotit u ngjizën nga babai i tyre.

37. Më e madhja lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Moab. Ky është babai i moabitëve, që ekzistojnë deri në ditët tona.

38. Edhe më e vogla lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Ben-Ami. Ky është babai i amonitëve, që ekzistojnë deri në ditët tona.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 19