Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 19:12-23 Bibla Shqip (ALBB)

12. Atëherë ata njerëz i thanë Lotit: "Kë ke tjetër këtu? Nxirr nga ky vend dhëndurët e tu, bijtë dhe bijat e tua, dhe cilindo që ke në qytet,

13. sepse ne po bëhemi gati ta shkatërrojmë këtë vend, sepse britma e banorëve të tij është e madhe përpara Zotit dhe Zoti na dërgoi për ta shkatërruar".

14. Atëherë Loti doli e u foli dhëndurëve të tij që ishin martuar me bijat e tij, dhe tha: "Çohuni, largohuni nga ky vend, sepse Zoti do ta shkatërrojë qytetin". Por dhëndurët e tij patën përshtypjen se ai po bënte shaka.

15. Sa doli agimi, engjëjt e nxitën Lotin duke thënë: "Çohu, merr gruan dhe bijat e tua që gjenden këtu, që ti të mos vdesësh në dënimin e këtij qyteti".

16. Duke qenë se ai po ngurronte, ata njerëz e morën për dore atë, të shoqen dhe dy bijat e tij, sepse Zotit i kishte ardhur mëshirë për të, e nxorën jashtë dhe i shpëtuan jetën duke e çuar jashtë qytetit.

17. Ndërsa po i çonin jashtë, njëri prej tyre tha: "Ik shpejt për të shpëtuar jetën tënde! Mos shiko prapa e mos u ndal në asnjë vend të fushës; shpëto në mal që të mos vdesësh!".

18. Por Loti iu përgjigj atyre: "Jo, zoti im!

19. Ja, shërbëtori yt gjeti hir para syve të tu dhe ti u tregove shpirtmadh ndaj meje, duke më shpëtuar jetën, por unë nuk do të mund të arrij malin para se të më zërë fatkeqësia dhe unë të vdes.

20. Ja, ky qytet është mjaft i afërt për ta arritur dhe është i vogël. Më lër, pra, të iki shpejt aty (a nuk është i vogël?) dhe kështu do të shpëtoj jetën".

21. Engjëlli i tha: "Unë po ta plotësoj edhe këtë kërkesë: të mos shkatërroj qytetin për të cilin fole.

22. Shpejto, ik atje, sepse unë nuk mund të bëj asgjë para se ti të arrish atje". Për këtë arsye ky qytet u quajt Coar.

23. Dielli po ngrihej mbi tokë kur Loti arriti në Coar.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 19