Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 18:15-31 Bibla Shqip (ALBB)

15. Atëherë Sara mohoi, duke thënë: "Nuk qesha", sepse pati frikë. Por ai i tha: "Përkundrazi, ke qeshur!".

16. Pastaj ata njerëz u ngritën së andejmi dhe kthyen shikimin e tyre në drejtim të Sodomës; dhe Abrahami ecte bashkë me ta për tu ndarë prej tyre.

17. Dhe Zoti tha: "A do t'ia fsheh unë Abrahamit atë që kam për të bërë,

18. mbasi Abrahami duhet të bëhet një komb i madh dhe i fuqishëm dhe tek ai do të bekohen tërë kombet e tokës?.

19. Unë në fakt e kam zgjedhur, me qëllim që të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij të ndjekin pas tij rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë, në mënyrë që Zoti të mund të plotësojë premtimet që i ka dhënë Abrahamit".

20. Dhe Zoti tha: "Me qenë se britma që ngrihet nga Sodoma dhe Gomora është e madhe dhe me qenë se mëkati i tyre është shumë i rëndë,

21. unë do të zbres për të parë nëse kanë bërë me të vërtetë sipas britmës që ka arritur tek unë, në rast të kundërt, do ta mësoj".

22. Pastaj këta njerëz u larguan së andejmi dhe shkuan në drejtim të Sodomës, por Abrahami mbeti ende para Zotit.

23. Atëherë Abrahami iu afrua dhe i tha: "Do të zhdukësh të drejtin së bashku me të paudhin?

24. Le ta zëmë se ka pesëdhjetë të drejtë në qytet, ti do ta shkatërroje vendin dhe nuk do t'i falje për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë në mes të saj?

25. Mos e bëj këtë gjë, të shkaktosh vdekjen e të drejtit bashkë me atë të të paudhit, kështu që i drejti të trajtohet si i paudhi. Larg teje një mendim i tillë! Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?".

26. Zoti tha: "Në rast se gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, unë do ta fal tërë vendin për hir të tyre".

27. Atëherë Abrahami rifilloi dhe tha: "Ja, marr guximin t'i flas Zotit, megjithëse unë nuk jam veçse pluhur dhe hi.

28. Ta zëmë se atyre pesëdhjetë të drejtëve u mungojnë pesë, a do ta shkatërroje tërë qytetin për pesë veta më pak?". Zoti u përgjigj: "Po të gjej dyzet e pesë, nuk do ta shkatërroj".

29. Abrahami vazhdoi t'i flasë dhe tha: "Ta zëmë se në qytet ndodhen dyzet?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj për hir të dyzetëve".

30. Atëherë Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti, dhe unë do të flas. Po sikur në qytet të ketë tridhjetë prej tyre?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj, po të gjej tridhjetë".

31. Dhe Abrahami i tha: "Ja, marr guximin t'i flas Zotit. Ta zëmë se në qytet gjenden njëzet?". Zoti iu përgjigj: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 18