Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 18:1-16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zoti iu shfaq Abrahamit në lisat e Mamreut, ndërsa ai ishte ulur në hyrje të çadrës në zheg të ditës.

2. Abrahami ngriti sytë dhe tre burra rrinin më këmbë pranë tij. Sa i pa, vrapoi në drejtim të tyre nga hyrja e çadrës, u përkul deri në tokë e pastaj tha:

3. "Zoti im, në rast se kam gjetur hir para teje, të lutem mos kalo pa u ndalur para shërbëtorit tënd!

4. Oh, lini që të sjellin pak ujë që të mund të lani këmbët tuaja, dhe çlodhuni nën këtë pemë.

5. Unë do të shkoj të marr një copë bukë, kështu do të mund të merrni zemër, pastaj të vazhdoni rrugën, sepse për këtë keni kaluar nga shërbyesi juaj". Ata i thanë: "Bëj siç ke thënë".

6. Atëherë Abrahami shkoi me ngut në çadër, te Sara, dhe i tha: "Merr shpejt tri masa majë mielli, gatuaj brumin dhe bëj me to kuleç".

7. Pastaj Abrahami shkoi në kopenë e bagëtive, zgjodhi një viç të njomë dhe të mirë, ia dha një shërbyesi dhe nxitoi ta përgatisë.

8. Mori pastaj gjizë, qumësht dhe viçin që kishte përgatitur dhe i vuri para tyre; ndërsa ata hanin, ai qëndroi më këmbë pranë tyre poshtë pemës.

9. Pastaj ata i thanë atij: "Ku është Sara, gruaja jote?". Abrahami u përgjigj: "Është atje në çadër".

10. Dhe ai tha: "Do të kthehem me siguri vitin e ardhshëm te ti në po këtë kohë; dhe ja Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë". Dhe Sara dëgjonte në hyrje të çadrës, që ishte prapa tij.

11. Por Abrahami dhe Sara ishin pleq, në moshë të kaluar, dhe Sara nuk kishte më të përmuajshmet e grave.

12. Prandaj Sara qeshi me veten e saj, duke thënë: "Plakë si jam, a do të kem unë gëzime të tilla, me qenë se vetë zoti im është plak?".

13. Dhe Zoti i tha Abrahamit: "Pse qeshi vallë Sara duke thënë: "A do të lind unë përnjëmend, plakë siç jam?".

14. A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin? Në kohën e caktuar, brenda një viti, do të kthehem te ti, dhe Sara do të ketë një bir".

15. Atëherë Sara mohoi, duke thënë: "Nuk qesha", sepse pati frikë. Por ai i tha: "Përkundrazi, ke qeshur!".

16. Pastaj ata njerëz u ngritën së andejmi dhe kthyen shikimin e tyre në drejtim të Sodomës; dhe Abrahami ecte bashkë me ta për tu ndarë prej tyre.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 18