Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 17:10-27 Bibla Shqip (ALBB)

10. Kjo është besëlidhja ime që ju do të respektoni midis meje edhe jush, si dhe pasardhësve të tu pas teje: çdo mashkull që ndodhet midis jush do të rrethpritet.

11. Dhe do të rrethpriteni në mishin e lafshës suaj; dhe kjo do të jetë një shenjë e besëlidhjes midis meje dhe jush.

12. Në moshën tetë ditësh, çdo mashkull i juaj do të rrethpritet, dhe kjo nga një brez në tjetrin, qoftë ai i lindur në shtëpi, qoftë ai i blerë me para nga çdo i huaj që nuk është një pasardhës i yt.

13. Do të rrethpritet si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, ashtu edhe ai që është blerë me para; besëlidhja ime në mishin tuaj do të jetë një besëlidhje e përjetshme.

14. Dhe mashkulli i parrethprerë, që nuk është rrethprerë në mishin e lafshës së tij, do të hidhet jashtë popullit të tij, sepse ka shkelur besëlidhjen time".

15. Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Për sa i përket Sarajt, gruas sate, mos e quaj më Saraj, por emri i saj do të jetë Sara.

16. Dhe unë do ta bekoj dhe do të bëj që ajo të të japë edhe një bir; po, unë do ta bekoj dhe prej saj do të lindin kombe; mbretër popujsh do të dalin prej saj".

17. Atëherë Abrahami u shtri me fytyrën ndaj tokës dhe qeshi; dhe tha në zemër të tij: "A do të lindë vallë një fëmijë nga një njeri njëqindvjeçar? Dhe do të lindë Sara që është nëntëdhjetë vjeç?".

18. Pastaj Abrahami i tha Perëndisë: "Vaj medet, që Ismaeli të mund të jetojë para teje!".

19. Por Perëndia u përgjigj: "Jo, por Sara gruaja jote do të lindë një bir, dhe ti do ta quash Isak; dhe unë do të caktoj besëlidhjen time me të, një besëlidhje të përjetshme me pasardhësit e tij.

20. Sa për Ismaelin, unë ta kam plotësuar dëshirën. Ja unë do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shumoj fort. Ai do të bëhet babai i dymbëdhjetë princërve, dhe unë do të bëj prej tij një komb të madh.

21. Por besëlidhjen time do ta përfundoj me Isakun që Sara do të lindë në këtë kohë, vitin e ardhshëm".

22. Kur mbaroi së foluri me të, Perëndia e la Abrahamin duke u ngritur lart.

23. Atëherë Abrahami mori Ismaelin, djalin e tij, të gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe tërë ata që kishte blerë me paratë e veta, tërë meshkujt e shtëpisë së Abrahamit dhe, po atë ditë,

24. Por Abrahami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç kur u rrethpre në mishin e lafshës së tij.

25. Dhe Ismaeli, biri i tij, ishte trembëdhjetë vjeç kur u rrethpre në mishin e lafshës së tij.

26. Po atë ditë u rrethprenë Abrahami dhe Ismaeli, biri i tij.

27. Dhe tërë njerëzit e shtëpisë së tij, qoftë ata të lindur në shtëpi, qoftë ata të blerë me para nga të huajt, u rrethprenë bashkë me të.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 17