kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zakaria 7 Bibla Shqip (ALBB)

1. Në vitin e katërt të mbretit Dar, ditën e katërt të muajit të nëntë, që është kislevi, ndodhi që fjala e Zotit iu drejtua Zakarias.

2. Kishin dërguar Sharetserin, bashkë me Regemelekun dhe njerëzit e tij, në Bethel për të kërkuar me lutje favorin e Zotin,

3. dhe për të folur me priftërinjtë që ishin në shtëpinë e Zotit të ushtrive dhe me profetët, duke thënë: "A duhet të qaj në muajin e pestë dhe të agjëroj si kam bërë gjatë shumë viteve?".

4. Atëherë fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

5. "Folu gjithë popullit të vendit dhe priftërinjve dhe thuaj: "Kur keni agjëruar dhe jeni pikëlluar në muajin e pestë dhe në të shtatin gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve, a keni agjëruar në të vërtetë për mua, pikërisht për mua?

6. Po më pas, kur keni ngrënë dhe pirë, mos vallë keni ngrënë dhe pirë për veten tuaj?

7. A nuk janë këto fjalët që Zoti i ushtrive ka shpallur me anë të profetëve të së kaluarës, kur Jeruzalemi ishte i banuar dhe i qetë bashkë me qytetet e tij të afërta dhe gjithashtu Negevi dhe fusha ishin të banuara?"".

8. Fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, duke thënë:

9. "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Zbatoni me përpikëri drejtësinë dhe tregoni secili mirësi dhe mëshirë për vëllezërit tuaj.

10. Mos e shtypni të venë dhe jetimin, të huajin dhe të varfrin; dhe askush të mos kurdisë në zemër të vet të keqen kundër vëllait të vet.

11. Por ata nuk deshën të dëgjojnë, kthyen krahët me kryeneçësi dhe i zunë veshët që të mos dëgjonin.

12. E bënë zemrën e tyre si diamanti, për të mos dëgjuar ligjin dhe fjalët që Zoti i ushtrive u dërgonte atyre me anë të Frymës së tij, me anë të profetëve të së kaluarës. Kështu u krijua një indinjatë e madhe te Zoti i ushtrive.

13. Dhe ndodhi që, mbasi ai thërriste dhe ata nuk ia vinin veshin, ata thirrën dhe unë nuk ua vura veshin", thotë Zoti i ushtrive,

14. "por i shpërndava me shakullinë midis gjithë kombeve që ata nuk i njihnin. Kështu vendi mbeti i shkretë pas tyre, dhe askush nuk kalonte andej ose nuk u kthye. Nga një vend kënaqësie ata e kthyen në shkreti".