Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Vajtimet 1:5-20 Bibla Shqip (ALBB)

5. Kundërshtarët e tij janë bërë sundimtarë, armiqtë e tij begatohen, sepse Zoti e ka mjeruar për shkak të morisë së shkeljeve të tij; fëmijët e tij kanë shkuar në robëri përpara armikut.

6. Vajza e Sionit ka humbur tërë madhështinë e saj; krerët e tij janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë; ecin pa forca përpara atyre që i ndjekin.

7. Në ditët e trishtimit të tij dhe të endjes Jeruzalemi kujton tërë të mirat e çmuara që zotëronte qysh nga ditët e lashta. Kur populli i tij binte në dorë të armikut dhe askush nuk i vinte në ndihmë, kundërshtarët e tij e shikonin dhe qeshnin me shkatërrimin e tij.

8. Jeruzalemi ka mëkatuar rëndë, prandaj është bërë një gjë e fëlliqur; tërë ata që e nderonin e përçmojnë, sepse e kanë parë lakuriq, po, ai psherëtin dhe kthehet prapa.

9. Fëlliqësia e tij ishte në cepat e rrobave të tij, nuk mendonte për fundin e tij; prandaj ra në mënyrë të habitshme, pa pasur njeri që ta ngushëllojë: "Shiko, o Zot, dëshpërimin tim sepse armiku po ngrihet".

10. Kundërshtari ka shtrirë dorën mbi të gjitha thesaret e tua, sepse pa kombet të hyjnë në shenjtëroren tënde; pikërisht ata që ti u kishe urdhëruar të mos hynin në kuvendin tënd.

11. Tërë populli i tij psherëtin duke kërkuar bukë; japin gjërat e tyre më të çmuara për ushqim me qëllim që të rifitojnë jetën. "Shiko, o Zot, dhe këqyr sa jam bërë i neveritshëm!".

12. "Asgjë e tillë mos t'ju ndodhë, o ju që kaloni afër. Soditni dhe shikoni, në se ka një dhembje të ngjashme me dhembjen time, ajo që më brengos dhe që Zoti më ka dhënë ditën e zemërimit të tij të zjarrtë.

13. Nga lart ka dërguar një zjarr në kockat e mia, i kaplon ato; ka shtrirë një rrjetë në këmbët e mia, më ka kthyer prapa, më ka shkretuar në kapitjen e ditëve të mia.

14. Nga dora e tij është lidhur zgjedha e shkeljeve të mia, që lidhen bashkë dhe rëndojnë mbi qafën time; më ka pakësuar forcën time; Zoti më ka lënë në duart e atyre të cilëve nuk mund t'u bëj ballë.

15. Zoti ka rrëzuar në mesin tim tërë trimat e mi; ka thirrur kundër meje një kuvend për të shtypur të rinjtë e mi; Zoti ka shtypur si në një butinë bijën e virgjër të Judës.

16. Prandaj unë qaj; sytë e mi, vetë sytë e mi shkrihen ndër lot, sepse ngushëlluesi që do të mund të më jepte përsëri jetën është larg meje. Bijtë e mi janë të dëshpëruar, sepse armiku doli fitimtar".

17. Sioni zgjat duart e tij, por nuk ka njeri që ta ngushëllojë. Për sa i përket Jakobit, Zoti ka urdhëruar që ata që janë rreth tij të bëhen armiq të tij. Jeruzalemi është bërë në mes tyre si një gjë e papastër.

18. Zoti është i drejtë, sepse jam rebeluar kundër fjalës së tij. Dëgjoni, pra, o popuj mbarë, dhe shikoni dhembjen time! Virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë shkuar në robëri.

19. Thirra dashnorët e mi, por ata më kanë mashtruar; priftërinjtë e mi dhe pleqtë e mi nxorën frymën e fundit në qytet, ndërsa kërkonin ushqim për të shpëtuar jetën e tyre.

20. Shiko, o Zot, unë jam në ankth. Zorrët e mia dridhen, zemra ime është e tronditur brenda meje, sepse kam qenë rebele e madhe. Jashtë shpata më la pa bij, në shtëpi është si të jetë vdekje.

Lexoni kapitullin e plotë Vajtimet 1