Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ruthi 3:10-18 Bibla Shqip (ALBB)

10. Ai tha: "Qofsh e bekuar nga Zoti bija ime! Mirësia që tregove këtë herë të fundit ia kalon së parës, sepse nuk ke rendur pas të rinjve, të varfër a të pasur.

11. Prandaj tani mos ki frikë, bija ime; unë do të bëj për ty gjithçka që më kërkon, sepse të gjithë njerëzit e qytetit tim e dinë që ti je një grua e virtytshme.

12. Është e vërtetë që unë gëzoj të drejtën e shpengimit; por është një që është fis më i afërt se unë.

13. Kaloje këtu natën; dhe nesër në mëngjes, në rast se ai do të kërkojë të drejtën e tij ndaj teje, mirë, pra le ta bëjë; por në rast se nuk e kërkon të drejtën e tij mbi ty, unë do të kërkoj që të vlejë e drejta ime dhe do të të shpengoj ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron! Rri shtrirë deri në mëngjes".

14. Kështu ajo qëndroi shtrirë në këmbët e tij deri në mëngjes; por u ngrit përpara se një njeri të njohë tjetrin, sepse ai i kishte thënë: "Asnjeri nuk duhet ta dijë që kjo grua erdhi në lëmë!".

15. Pastaj shtoi: "Sill mantelin që ke veshur dhe mbaje". Ajo e mbajti dhe ai derdhi mbi të gjashtë masa elbi, pastaj ia vuri mbi kurriz; pas kësaj ajo u kthye në qytet.

16. Kështu u kthye tek e vjehrra, që i tha: "Ti je bija e ime?". Atëherë ajo i tregoi të gjitha ato që ai burrë kishte bërë për të,

17. dhe shtoi: "Më dha edhe këto gjashtë masa elbi, sepse më tha: "Nuk duhet të kthehesh te vjehrra jote duar bosh"".

18. Naomi i tha: "Qëndro këtu, o bija ime, derisa të mësosh si ka për të mbaruar kjo çështje, sepse ai burrë nuk do të rrijë derisa ta ketë sistemuar sot çështjen".

Lexoni kapitullin e plotë Ruthi 3