Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ruthi 2:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Naomi kishte një fis të burrit të saj, një njeri të fuqishëm dhe të pasur, nga familja e Elimelekut, që quhej Boaz.

2. Ruthi, moabitja, i tha Naomit: "Lërmë të shkoj nëpër ara e të mbledh kallinj prapa atij në sytë e të cilit do të gjej hir". Ajo iu përgjigj: "Shko, bija ime".

3. Kështu Ruthi shkoi dhe nisi të mbledhë kallinjtë prapa korrësve; dhe i rastisi të ndodhej në pjesën e arës që ishte pronë e Boazit, i cili i përkiste familjes së Elimelekut.

4. Por ja, që Boazi erdhi në Betlehem dhe u tha korrësve: "Zoti qoftë me ju!". Ata iu përgjigjën: "Zoti të bekoftë!".

5. Pastaj Boazi i tha shërbëtorit të tij të caktuar të mbikëqyrë korrësit: "E kujt është kjo vajzë?".

6. Shërbëtori i caktuar të mbikëqyrë korrësit u përgjigj: "Është një vajzë moabite, që është kthyer me Naomin nga vendi i Moabit.

7. Ajo na tha: "Ju lutem, më lini të mbledh kallinjtë midis demeteve prapa korrësve". Kështu ajo erdhi dhe qëndroi nga mëngjesi deri tani; pushoi vetëm një çast në shtëpi".

8. Atëherë Boazi i tha Ruthit: "Dëgjo, bija ime, mos shko në ndonjë arë tjetër për të mbledhur kallinjtë që kanë mbetur, mos u largo që këtej, por rri me shërbëtoret e mia.

9. Mbaj sytë në arën që po korrin dhe shko prapa korrësve. A nuk i kam urdhëruar shërbyesit e mi të mos të të bezdisin? Kur ke etje, shko atje ku janë shtambat, për të pirë ujin që kanë nxjerrë shërbëtorët".

10. Atëherë Ruthi u shtri përdhe, duke rënë përmbys me fytyrën për tokë dhe i tha: "Për çfarë arsye kam gjetur kaq hir në sytë e tu, sa ti të kujdesesh për mua që jam një e huaj?".

11. Boazi iu përgjigj duke thënë: "Më kanë treguar të gjitha ato që ti ke bërë për vjehrrën tënde mbas vdekjes së burrit tënd, dhe si ke lënë atin tënd, nënën tënde dhe vendlindjen tënde, për të jetuar me një popull që nuk e njihje më parë.

12. Zoti të shpërbleftë për ato që ke bërë dhe shpërblimi yt të jetë i plotë nga ana e Zotit, Perëndisë së Izraelit, nën krahët e të cilit erdhe të strehohesh!".

Lexoni kapitullin e plotë Ruthi 2