Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Psalmet 44:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta.

2. Për t'i vendosur me dorën tënde ti ke shpronësuar kombet, ke çrrënjosur popuj për t'u bërë vend atyre.

3. Në fakt nuk e pushtuan vendin me shpatën e tyre dhe nuk qe krahu i tyre që i shpëtoi, por ishte dora jote e djathtë, krahu yt dhe drita e fytyrës sate, sepse të pëlqenin.

4. Ti je mbreti im, o Perëndi, që vendos fitoret për Jakobin.

5. Me anën tënde do të përmbysim armiqtë tanë; në emër tënd do të shkelim ata që ngrihen kundër nesh.

6. Sepse nuk kam besim tek harku im dhe nuk do të jetë shpata ime ajo që do të më shpëtojë.

7. Por je ti ai që na shpëton nga armiqtë tanë dhe që i mbulon me turp ata që na urrejnë.

8. Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë. (Sela)

9. Por ti na dëbove dhe na mbulove me turp, dhe nuk del më me ushtritë tona.

10. Ti ke bërë të kthejmë kurrizin përpara armikut, dhe ata që na urrejnë na kanë grabitur.

11. Ti na ke dhënë si dele për therje dhe na ke shpërndarë midis kombeve.

12. Ti e ke shitur popullin tënd për asgjë dhe nuk ke nxjerrë asnjë fitim nga shitja e tij.

13. Ti na bëre për turp me fqinjët tanë, u bëmë gazi dhe tallja e atyre që rrinë rreth nesh.

Lexoni kapitullin e plotë Psalmet 44