Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Psalmet 37:22-37 Bibla Shqip (ALBB)

22. Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.

23. Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.

24. Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.

25. Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.

26. Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.

27. Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.

28. Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t'i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.

29. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.

30. Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.

31. Ligji i Perëndisë së tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.

32. I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.

33. Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.

34. Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.

35. E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,

36. por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.

37. Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.

Lexoni kapitullin e plotë Psalmet 37