Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Psalmet 119:110-127 Bibla Shqip (ALBB)

110. Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga urdhërimet e tua.

111. Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.

112. Jam zotuar me gjithë zemër për t'i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.

113. Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd.

114. Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde.

115. Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim.

116. Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time.

117. Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t'i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi.

118. Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër.

119. Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua.

120. Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua.

121. Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.

122. Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mendjemëdhenjtë të më shtypin.

123. Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.

124. Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.

125. Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.

126. Është koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.

127. Për këtë arsye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.

Lexoni kapitullin e plotë Psalmet 119