12. Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij.
13. U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë.
14. U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë.
15. U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre.
16. Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhembshuri, por e ka përndjekur të varfrin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer derisa t'u shkaktonte vdekjen.
17. Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij.
18. Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobë, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij;
19. Qoftë për të si një rrobë që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë.
20. Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje.
21. Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhembshurinë dhe mirësinë tënde,
22. sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje.
23. Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec.
24. Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit.
25. Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën.
26. Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhembshurinë tënde,
27. dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.
28. Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.